Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka reaguar ashpër ndaj përfshirjes së Sarandës në Paketën e Maleve, duke deklaruar se kjo skemë nuk ka lidhje me zhvillimin apo rivitalizimin e zonave malore, por me “gllabërimin e pronës publike dhe private”.
Zhupa u shpreh se Saranda, si një qytet bregdetar me potencial të jashtëzakonshëm turistik, nuk duhet të zhvillohet përmes “investimeve strategjike” dhe tjetërsimit të pronave, por nëpërmjet biznesit të ndershëm dhe mbështetjes së qytetarëve që punojnë e investojnë në tokat e tyre.
Deklarata e Ina Zhupës:
Qyteti i Sarandës tashmë nuk do të quhet qytet bregdetar, por do të quhet një qytet malor, sepse është përfshirë në Paketën e Maleve.
Janë dhënë 5 investime strategjike, që nga e famshmja “pika e vogël” e Mirela Kumbaros në Manastir e me radhë. Tanimë, e kanë përfshirë Sarandën edhe në Paketën e Maleve për të dhuruar edhe toka të tjera publike apo edhe private.
Kjo tregon qartësisht se Paketa e Maleve nuk ka lidhje me propagandën për të cilën u ndërtua, për rivitalizimin e maleve, por ka lidhje me gllabërimin e pronës private dhe publike.
Saranda është një perlë!
Saranda ka potenciale të jashtëzakonshme për t’u zhvilluar, por duhet të zhvillohet nëpërmjet biznesit të ndershëm, nëpërmjet njerëzve punëtorë që të kenë mundësi të zhvillojnë tokat e tyre dhe jo nëpërmjet strategjive të vjedhjes, të tjetërsimit të pronës publike dhe të pronës private.
