Në zonën e Dhërmiut është ndëshkuar me 500.000 lekë drejtuesi i një mjeti lundrues, pasi ka shkelur perimetrin e sigurisë dhe ka hyrë pranë zonës së plazhit, duke rrezikuar jetën e pushuesve.
Policia Kufitare bën të ditur se mjeti lundrues është bllokuar, ndërsa ndaj drejtuesit është vendosur masa administrative pas ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve policore në terren.
Sipas njoftimit, shërbimet e Policia Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare të DVKM Vlorë kanë intensifikuar patrullimet përgjatë vijës bregdetare Vlorë–Ksamil, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve gjatë sezonit turistik.
Policia Kufitare njofton se, “gjatë patrullimit, shërbimet e Policisë Kufitare kanë marrë njoftim nga pushuesit se një mjet lundrues gomone kishte hyrë në afërsi të bregut në zonën e Dhërmiut, duke rrezikuar sigurinë e personave që bënin plazh. Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi dhe Njësia Policore Detare kanë ndërhyrë dhe kanë konstatuar mjetin lundrues gomone me drejtues shtetasin F. D. Në përfundim të procedurave administrative, ndaj drejtuesit të mjetit u vendos masa administrative 500.000 lekë. Gjithashtu, u bë dhe bllokimi i mjetit lundrues”.
Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese që të respektojnë rregullat e lundrimit dhe perimetrin e sigurisë në zonat e plazheve të përcaktuara për pushuesit.
