Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar ashpër pas rastit të evidentuar në Dhërmi, ku një mjet lundrues hyri në perimetrin e sigurisë së pushuesve, duke rrezikuar jetën e qytetarëve në plazh.
Përmes një reagimi publik, Lamallari theksoi se nuk do të ketë asnjë tolerim ndaj personave që shkelin rregullat e sigurisë në vijën bregdetare dhe cenojnë qetësinë e pushuesve gjatë sezonit turistik.
“Për ‘trimat’ si ky në Dhërmi, që sfidojnë perimetrin e sigurisë në plazhe dhe rrezikojnë jetën e pushuesve, nuk do të ketë asnjë tolerim. Ta gëzosh gjobën 5 milionë lekë të vjetra dhe provoje përsëri të bësh aventura të tilla”, u shpreh ministri.
Sipas tij, strukturat e Policisë së Shtetit do të jenë në monitorim të pandërprerë të të gjithë vijës bregdetare, nga veriu në jug të vendit, për të parandaluar shkeljet dhe për të garantuar sigurinë e pushuesve.
Lamallari bëri të ditur se Njësia e Posaçme Detare e Policisë së Shtetit do të ushtrojë kontrolle të vazhdueshme nga Velipoja deri në Ksamil, me fokus identifikimin dhe ndëshkimin e çdo mjeti lundrues që futet në hapësirat e ndaluara apo krijon rrezik për qytetarët në plazhe.
Rasti në Dhërmi është një tjetër sinjal i forcimit të masave të sigurisë gjatë sezonit veror, ku autoritetet kanë paralajmëruar kontrolle të shtuara në det dhe ndëshkime të forta për çdo shkelje të rregullave të lundrimit.
