Një agjent policie u aksidentua me makinë gjatë një operacioni antidrogë në fshatin Lumalas të Korçës. Burime për News24 bëjnë të ditur se agjentët e policisë ishin vënë në ndjekje të një personi që dyshohej se kishte blerë lëndë narkotike në një lokal në fshatin Lumalas dhe më pas po largohej drejt Korçës.
Gjatë ndjekjes makina e agjentëve u përplas me makinën që drejtohej nga i dyshuari, ku një nga policët mbeti i plagosur. Pasi u transportua për në spital, agjentët e tjerë që ishin pjesë e operacionit antidrogë shkuan në lokalin ku dyshohej se shitej drogë dhe gjatë kontrollit gjetën dhe sekuestruan 12 doza të dyshuara kokainë dhe një tavolinë pokeri.
Për pasojë u vu në pranga kamerieri Vangjush Dushku, i cili dyshohet se i shiti drogën të dyshuarit, i cili po ashtu u arrestua, si dhe u shpall në kërkim pronari i lokalit.
Mësohet se gjatë kontrollit fizik, kamerierit Vangjush Dushku iu gjetën doza të dyshuara kokainë, gati për shitje. Agjenti i policisë që u plagos gjatë aksidentit vijon të jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku bluzat e bardha bëjnë të ditur se është jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Korçës dhe grupi hetimor vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në aktivitetin kriminal.
