Oklahoma City Thunder janë vetëm një hap larg finales së madhe të NBA-së. Në një mbrëmje spektakolare në “Paycom Center”, kampionët në fuqi triumfuan 127-114 ndaj San Antonio Spurs në ndeshjen e pestë të serisë, duke marrë avantazhin 3-2 dhe duke ndezur entuziazmin e tifozëve vendas.
Njeriu i ndeshjes ishte sërish Shai Gilgeous-Alexander, i cili udhëhoqi Thunder me 32 pikë dhe konfirmoi statusin e liderit absolut të skuadrës. Përkrah tij shkëlqeu edhe Alex Caruso me 22 pikë, ndërsa i riu Jared McCain shtoi 20 të tjera në një paraqitje plot energji dhe ritëm.
Nga krahu tjetër, Victor Wembanyama nuk arriti të bëjë diferencën si zakonisht. Ylli francez e mbylli sfidën me 20 pikë, por Spurs vuajtën shumë në mbrojtje dhe nuk mundën t’i rezistonin intensitetit të Thunder në pjesën e dytë të takimit.
Tashmë seria zhvendoset në San Antonio për ndeshjen e gjashtë, që do të luhet të premten. Thunder kërkojnë goditjen vendimtare për të siguruar finalen, ku i presin New York Knicks, ndërsa Spurs do të provojnë të mbajnë gjallë ëndrrën e rikthimit.
