Ish-presidenti Joe Biden ka ngritur një padi ndaj Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara në përpjekje për të ndaluar publikimin e regjistrimeve audio dhe transkripteve të intervistave të tij lidhur me hetimin për dokumentet e klasifikuara. Padia është depozituar në Gjykatën Federale në Washington, ku avokatët e Biden argumentojnë se publikimi i materialeve do të përbënte “një ndërhyrje të pajustifikuar në privatësinë” e ish-presidentit.

Çështja lidhet me intervistat e zhvilluara në vitet 2016 dhe 2017 mes Biden dhe shkrimtarit Mark Zwonitzer, i cili bashkëpunoi me të në dy libra autobiografikë. Regjistrimet u morën më pas nga këshilltari special Robert Hur gjatë hetimit mbi trajtimin e dokumenteve të klasifikuara nga Biden në kohën kur ishte senator dhe zëvendëspresident.

Hetimi përfundoi me një raport prej 345 faqesh, ku u ngritën pikëpyetje mbi kujtesën dhe aftësinë mendore të Biden, por pa rekomanduar ngritjen e akuzave penale ndaj tij.

Avokatët e Biden pretendojnë se Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara synon t’ia dorëzojë materialet Kongresit dhe organizatës konservatore Heritage Foundation gjatë muajit qershor. Në vitin 2024, Kongresi kishte thirrur në gjyq ish-prokurorin e përgjithshëm Merrick Garland për refuzimin e publikimit të regjistrimeve audio, duke përmendur privilegjin ekzekutiv të Shtëpisë së Bardhë. Publikimi i mëparshëm i transkripteve kishte nxitur debat të fortë politik në SHBA, me republikanët që akuzonin administratën për trajtim preferencial ndaj Biden, ndërsa demokratët theksonin bashkëpunimin e tij me hetuesit, në kontrast me çështjet ligjore të Donald Trump lidhur me dokumentet konfidenciale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: