Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Ulqin, ku një shtetas nga Kosova dyshohet se ka vrarë partneren me të cilën bashkëjetonte dhe më pas i ka vënë zjarrin banesës ku jetonin.

Sipas mediave në Mal të Zi, në pranga është vënë Bashkim Gashi, 46 vjeç, i cili ka pësuar edhe lëndime nga flakët gjatë incidentit. Policia malazeze bëri të ditur se ngjarja ndodhi gjatë natës në zonën e Kodrës, në Ulqin. Autoritetet u njoftuan rreth orës 00:30 për një zjarr të rënë në një banesë dhe menjëherë pas sinjalizimit, forcat e policisë mbërritën në vendin e ngjarjes.

Gjatë ndërhyrjes, në banesën e përfshirë nga flakët u gjet trupi i pajetë i një gruaje, e identifikuar më vonë si D.N., 36 vjeçe, shtetase shqiptare.

Sipas dyshimeve paraprake të hetuesve, autori i dyshuar fillimisht ka kryer vrasjen dhe më pas i ka vënë zjarrin shtëpisë për të fshehur gjurmët e krimit. “Policia, identifikoi dhe vuri nën kontroll një person i cili, siç dyshohet, gjatë natës kreu veprën penale të vrasjes të bashkëjetueses së tij, dhe më pas i vuri flakën shtëpisë ku jetonin së bashku, në vendbanimin Kodre në Ulqin. Departamenti i Sigurisë së Ulqinit u njoftua mbrëmë rreth orës 00:30 se kishte shpërthyer zjarr në një ndërtesë banimi, një shtëpi në vendbanimin Kodre. Zyrtarët e policisë shkuan menjëherë në vendngjarje ku u gjet trupi i pajetë i një personi të panjohur, i identifikuar më vonë si DN (36), shtetase e Shqipërisë”, sqaron policia.

Trupi i viktimës është transportuar në Qendrën Klinike të Malit të Zi për ekzaminim mjeko-ligjor, ndërsa autopsia pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb