Partia Demokratike ka propozuar një sërë ndryshimesh në statut, të cilat synojnë riorganizimin e strukturave të partisë, rritjen e përfaqësimit dhe forcimin e proceseve të përzgjedhjes së kandidatëve.

Një nga risitë kryesore lidhet me fuqizimin e rolit të Diasporës shqiptare në jetën politike të partisë. Sipas propozimeve, 15% e listave zgjedhore dhe e organeve drejtuese të partisë duhet të përbëhen nga përfaqësues të Diasporës.

Ndryshimet parashikojnë gjithashtu rritjen e përfaqësimit të grave dhe vajzave në strukturat e Partisë Demokratike, nga 30% në 40%.

Një tjetër pikë e rëndësishme është krijimi i Komisionit të Seleksionimit të Kandidaturave për deputetë dhe kryetarë bashkish. Ky komision do të funksionojë si strukturë autonome nga organet drejtuese të partisë dhe do të veprojë përpara procesit të primareve.

Propozimet përfshijnë edhe përmirësimin e organizimit bazë të partisë, duke forcuar rolin e grupseksioneve, nëndegëve dhe Kolegjit të Kryetarëve të Grupseksioneve.

Po ashtu synohet forcimi i marrëdhënieve mes degëve të partisë dhe të zgjedhurve vendorë, veçanërisht këshilltarëve bashkiakë.

Në draftin e ri parashikohet edhe njohja e një statusi të barabartë për organizatat partnere të partisë, duke respektuar historinë e themelimit të Partisë Demokratike.

Ndryshimet përfshijnë gjithashtu masa për mbrojtjen e të dhënave personale të anëtarëve të partisë, si dhe saktësimin e procedurave për shkarkimin e kryetarëve të degëve, me synimin për t’u dhënë më shumë garanci për qëndrimin në detyrë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb