Ish-ambasadori i Shqipërisë Agim Nesho, i ftuar në programin e drekës në “News24”, ka komentuar me tone kritike zhvillimin e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE në Bruksel.

Sipas tij, ky hap po përdoret nga qeveria si një fasadë propagandistike për të mbuluar problemet e thella të brendshme dhe ngecjen reale të vendit në rrugën e integrimit evropian.

Nesho theksoi se megjithëse takimet diplomatike në Bruksel shiten si arritje historike nga mazhoranca, realiteti i kritereve të bazuara në shtetin e së drejtës, luftën ndaj korrupsionit dhe funksionimin e institucioneve demokratike tregon një panoramë krejt tjetër.

“Kjo që shohim është thjesht vazhdimësia e një propagande të mirëorganizuar nga kryeministri Rama. Konferenca Ndërqeveritare është një hap burokratik, por integrimi i vërtetë nuk bëhet me foto familjare në Bruksel. BE ka vendosur kushte të qarta në grupkapitullin ‘Themeloret’, ku përfshihen gjyqësori dhe drejtësia, fusha ku Shqipëria ka ende probleme madhore dhe ku standardet e kërkuara janë larg të qenit të plotësuara,” u shpreh ish-ambasadori.

Më tej, Nesho deklaroi se Bashkimi Evropian po tregon kujdes dhe një lloj “lodhjeje nga zgjerimi”, duke e mbajtur Shqipërinë në një proces të stërzgjatur në “dhomën e pritjes” pikërisht për shkak të mungesës së vullnetit politik për të bërë reforma të vërteta dhe jo thjesht në letër. Ai shtoi se autokracitë dhe kapja e institucioneve në vend mbeten pengesat kryesore që e mbajnë procesin e integrimit të ngrirë në terma afatgjatë.

“Mesazhet e BE-së janë të qarta për ata që dinë t’i lexojnë profesionalisht. Hapja e rrugës për mbylljen e kapitujve vjen me kushte tejet strikte. Qeveria aktuale kërkon t’i shesë këto momente si suksese ekskluzive të saj, duke përjashtuar opozitën dhe duke mos krijuar një konsensus gjithëpërfshirës kombëtar, i cili është i domosdoshëm për një proces të tillë,” u shpreh Nesho.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb