Alpinisti amerikan Tyler Andrews ka vendosur një rekord të ri botëror për ngjitjen më të shpejtë të malit Mali Everest me përdorimin e oksigjenit shtesë. 36-vjeçari arriti të përshkojë itinerarin nga kampi bazë në lartësinë 5,364 metra deri në majën 8,848 metra për vetëm 9 orë e 55 minuta, duke thyer rekordin e mëparshëm të vendosur nga nepalezi Lhakpa Gelu në vitin 2003.

Lajmi u konfirmua nga David Steven, drejtues i kompanisë “Asia Trekking”, e cila organizoi ekspeditën. Sipas tij, Andrews arriti në “çatinë e botës” në më pak se 10 orë, një arritje e jashtëzakonshme në alpinizëm. Edhe pse e realizoi ngjitjen i vetëm, amerikani u asistua nga dy guida Sherpa, të cilët i siguruan oksigjen, ujë dhe pajisjet e nevojshme gjatë rrugës.

Sezoni pranveror i ngjitjeve në Everest këtë vit ka regjistruar shifra rekord. Sipas autoriteteve nepaleze, mbi 950 alpinistë kanë arritur majën që prej nisjes së sezonit më 13 maj, falë kushteve të favorshme atmosferike. Gjithashtu, janë thyer edhe rekorde të tjera, përfshirë numrin më të madh të ngjitjeve në një ditë të vetme, me 275 persona që arritën majën më 21 maj, si dhe numrin e lejeve të lëshuara për alpinistët e huaj, që ka arritur në 494.

Megjithatë, sezoni është shoqëruar edhe me tragjedi. Deri tani, pesë alpinistë – dy indianë dhe tre nepalezë – kanë humbur jetën në shpatet e Everestit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: