Te Bylisi vazhdojnë të krenohen me talentet e dala nga skuadra, ndërsa dy titullarë, Aurel Marku dhe Fabjan Përndreca, janë grumbulluar sërish nga Kombëtarja U-21. Të dy futbollistët kanë qenë pjesë e Shpresave prej dy sezonesh dhe kanë spikatur me paraqitjet e tyre në Ballsh.

Marku dhe Përndreca sapo kanë mbyllur sezonin e tretë me fanellën e Bylisit, duke konfirmuar potencialin e madh që kanë për të ardhmen. Paraqitjet e tyre nuk kanë kaluar pa u vënë re, pasi në adresë të klubit mallakastriot kanë mbërritur edhe oferta konkrete. E ardhmja e tyre lidhet ngushtë me fatin e skuadrës së parë. Nëse Bylisi arrin të mbetet në Superiore, për shkak edhe të ndryshimeve të mundshme në strukturën e elitës, të dy mund të vazhdojnë në Ballsh. Në të kundërt, shitja e tyre, madje edhe jashtë vendit, mbetet një mundësi reale.

Një tjetër emër që po fiton terren është edhe Petro Marku, vëllai i kapitenit Aurel Marku. Mesfushori shtatlartë ka qenë pjesë e Kombëtares U-17, ku është aktivizuar edhe si titullar, ndërsa sezonin e kaluar luajti në 4-5 ndeshje si titullar me ekipin e parë në Superiore. Te klubi ballshiot besojnë se Petro Marku do të ketë edhe më shumë hapësira sezonin e ardhshëm dhe synimi i tij është të fitojë një rol të rëndësishëm në mesfushën bardhekuqe. Ndërkohë, grumbullime me kombëtaret kanë pasur edhe futbollistë të huaj të skuadrës. Rasti më i spikatur është ai i Abubakar Kamara, i cili është ftuar nga Nigeri.

Edhe pse skuadra ndodhet në pushime, drejtuesit po punojnë për sezonin e ri, duke nisur fillimisht nga çështja e pankinës. Mirel Josa mbetet kandidati kryesor për të vazhduar, pas punës të bërë në sezonin e kaluar. Trajneri tiranas vlerësohet edhe për besimin që u dha lojtarëve të rinj, shumë prej të cilëve shpërthyen në elitë dhe lanë gjurmë me fanellën e Bylisit. Josa ndërtoi raporte shumë të mira me presidentin, stafin, lojtarët dhe tifozët ballshiotë, të cilët vazhdojnë ta respektojnë për profesionalizmin dhe punën e bërë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb