Kreu i Partisë Demokratike ka zhvilluar një takim me delegacionin e Komisionit të Venecias. Gjatë fjalës së tij para mediave, Berisha theksoi se çështja e financimit të partive është ndër pikat themelore në zgjedhje.
“Çështja e financimit të partive është çështja më themelore e procesit zgjedhor dhe provuam me fakte që në këto zgjedhje në rrafshine financimit nga buxheti, diferenca mes financimit të dy partive, PD-PS, ka qenë 700-1000 herë. Partia në pushtet organizoi në kohën e ndaluar nga ligji 4530 ngjarje me një kosto nga disa qindra euro në 7 mln euro para buxheti, siç ishte “Giro d’Italia” një ditë para zgjedhjeve.
U dha pensionistëve nga buxheti 100 euro dhuratë, dhuratë për votë”, tha ai.
Mes të tjerash Berisha tha se patronazhistët ishin personazh i urryer si Balluku në raportin e IBAR.
“Ju e morët vesh tani që patronazhistët u bënë personazh i urryer si Balluku në raportin e fundit.
A e lexuat raportin? A e patë ju që damkoseshin rrjetet e patronazhistëve? Dhe është shumë e rëndë…
Po ju, problemi është këtu, prapë po e them këtu. Censurimi i raporteve ndërkombëtare që damkosin qeverinë dhe mbrojnë interesat e qytetarëve është një akt jashtëzakonisht i dënueshëm i mafies së fjalës së lirë. ”, tha ai.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Përfaqësuesit e Komisionit të Venecias kanë ardhur dhe ne ishim në një takim me ta, në të cilin kërkojmë mendime dhe opinione të forcave politike para se ata të shprehin rekomandimet dhe opinionet e tyre për ligjin e financimit të partive.
Në këtë takim theksuam, bashkë me bashkëpunëtorët e mi, theksuam se çështja e financimit të partive është çështja më themelore e procesit zgjedhor.
Konkretisht me fakte provuam se në këto zgjedhje në rrafshin e financimit nga paratë e buxhetit, diferenca mes dy partive kryesore, Partisë Demokratike dhe partisë në qeveri, ka qenë minimumi 700 deri në 1 mijë herë.
Diferenca e financimit me paratë e buxhetit, midis dy forcave kryesore politike, shkon nga 700 në 1 mijë herë.
Konkretisht. Duke përjashtuar totalisht atë çka ligji përcakton për financimin e këtyre partive, jashtë përcaktimit ligjor, partia në pushtet organizoi në kohën e ndaluar nga ligji, 4530 ngjarje me një kosto nga disa qindra euro në 7 milionë euro, para buxheti siç ishte ‘Giro D’Italia’, një ditë para zgjedhjeve dhe ditën e zgjedhjeve.
Një organizatë private e cila u kontraktua nga Edi Rama për ndikuar tek zgjedhësit.
Këto 4530 aktiviteteve nuk janë tek 2.7 miliardëshi.
Nëse e thashë 700 gabova, është të paktën 2700 sepse janë para buxheti këto.
Së dyti, iu dha çdo pensionisti iu dha 100 euro dhuratë në fushatë elektorale, para buxheti, dhuratë për votë.
U falën dy ditë para zgjedhjeve, para që do të shkonin në buxhet, 2 miliard e 100 milionë euro. Me impakt në mbi 2300 familje, me impakt 84 mijë biznese aktive.
Tjetër, por këto nuk u llogaritën këto të fundit.
Miliarda, miliarda të rrënjeve të kanabisit që u dekretuan 29 mijë hekratëve kundrejt 200 hektarëve që parashikonte ligji, në një kohë kur një bimë kanabis vlerësohet në 1 mijë euro të ardhura.
Por këto nuk u llogaritën dot, sepse shkojnë në miliarda në vetvete. Shuma stratosferike.
Pra pabarazia ishte në mijëra herë, me para buxheti.
Shto këtu edhe mbi 500 milionë prokurime të ndaluara me ligj gjatë fushatës elektorale.
Për të gjitha këto, farsa ishte më e shëmtuara që kanë parë ndonjëherë.
Nuk është vetëm ky problemi.
