Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka zhvilluar një takim me demokratë dhe mbështetës në qytetin e Tiranës. Gjatë këtij takimi, fjalën e ka marrë edhe Hysen Kadiu, i cili ishte kandidati më i votuar i procesit të primareve në PD në zgjedhjet e kaluara të vitit 2025.

Kadiu ka lëshuar mesazhe të forta e kritike drejtuar edhe vetë situatës së brendshme në selinë blu, duke bërë thirrje për një ndryshim rrënjësor të sistemit që funksionon brenda partisë, përpara se të kërkohet ndryshimi i qeverisë.

Në fjalën e tij përpara strukturave dhe simpatizantëve, Kadiu u shpreh se opozita nuk mund të pranojë më iluzione e premtime të rreme, në një kohë kur vendi lëngon prej vitesh në një krizë të thellë pa shpresë.

“Garancia e vendit tonë nuk mund të mbahet peng në një krizë 13-vjeçare, pa asnjë shpresë për t’u ngritur. Ne e kundërshtojmë këtë realitet të pashpresë. Nuk mund të pajtohemi me deluzione që na serviren, sepse besojmë se ky vend ka ende idealistë që nuk tunden dhe nuk tuten, që nuk shiten e nuk blihen as nga pazaret e interesat e politikanëve tanë. Ju që na jeni bashkuar sot, jeni këta idealistë,” deklaroi ai.

Më tej, Kadiu vuri theksin te domosdoshmëria e një reformimi të thellë të brendshëm në Partinë Demokratike, duke i cilësuar të pranishmit në sallë si shtyllën kurrizore dhe shpirtin e vërtetë të kësaj force politike.

“Besojmë edhe te vendosmëria që sistemet t’i shembim së pari në shtëpinë tonë, në PD. Të ndryshojmë realitetit e vendit tonë duke ndryshuar atë të shtëpisë sonë. Shtëpia jonë ka nevojë të shpëtohet! Ndoshta nuk njihemi të gjithë me emra, por fytyrat janë familjare me njëri-tjetrin. Ju jeni njerëzit që përbëni jo vetëm shtyllën kurrizore të PD-së, por edhe shpirtin e saj,” përfundoi Kadiu në takimin e organizuar në kryeqytet.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb