Sekretari Organizativ i degës së PD në Korçë, Bravaldi Xhafka iu bashkua sot takimit të Ervin Salianjit me demokratët e Tiranës. Nga podiumi, Xhafka nuk i kurseu kritikat ndaj mënyrës së funksionimit të partisë. Ai tha se është rritur në një familje demokratësh dhe se ka zgjedhur të qëndrojë pranë PD-së për bindje dhe jo për interesa personale.

Bravaldi Xhafka akuzoi drejtuesit e partisë për mbyllje të garës së brendshme nga frika e përballjes, duke treguar se atij i ishte mohuar kandidimi për kryetar të PD në Korçë, ndërsa shtoi se në parti po promovohen figura që kanë humbur vazhdimisht zgjedhjet.

Ai theksoi gjithashtu se demokratët kanë nevojë për hapje të PD, meritokraci dhe rikthim të besimit te baza e partisë.

Bravaldi Xhafka, Sekretari Organizativ i PD në Korçë:

Jam rritur në një familje demokratësh, jam rritur me PD-në, me sakrificat e saj, me dhimbjen dhe shpresën e saj. Në Korccë PD është mbajtur me sakrifica. Kam 32 vite jetë, nuk kam patur pushtet asnjë ditë, kam qenë në çdo betejë e përplasje për PD. Pas gjithë kësaj sakrifice i kërkova vetëm një gjë PD, të garoja si demokrat për kreun e PD dega Korçë, të garoja me votë të lirë, por garën e mbyllën, garën e mohuan. Këtë sepse kishin frikë nga gara. Çfarë është PD pa garë dhe meritokraci? Humbësit promovohen dhe fituesit përjashtohen. Ne nuk mund ta thyejmë Edi Ramën duke kopjuar mënyrën e tij. Nuk mund të kërkojmë demokraci për Shqipërinë kur nuk kemi demokraci brenda shtëpisë tonë. Kjo lëvizje është për ta shpëtuar PD-në, për ta hapur dhe për ta ringritur Partinë Demokratike.

13 vjet humbje nuk janë për fajin e demokratëve, por se u vra meritokracia dhe shpresa. PD duhet të hapet, duhet të kthehet gara, merita, respekti për ata që punojnë dhe sakrifikojnë, kush fiton të drejtojë, kush bind demokratët të mbajë përgjegjësi. Vetëm kështu fitohet!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb