Takimi në Sallën e Situatave në Shtëpinë e Bardhë ka përfunduar pas rreth dy orësh diskutime, ndërsa vëmendja mbetet e përqendruar te qëndrimi i administratës amerikane ndaj Iranit.
Sipas informacioneve të bëra publike pas mbledhjes, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të mbështesë një marrëveshje vetëm nëse ajo konsiderohet në interes të Amerikës dhe respekton vijat e kuqe të përcaktuara prej tij.
Korrespondentja e Shtëpisë së Bardhë për CNN, Alayna Treene, shkroi në platformën X se, sipas një zyrtari të administratës presidenciale, ende nuk është marrë një vendim përfundimtar lidhur me negociatat me Iranin.
“Irani nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore”, citohet të ketë deklaruar zyrtari amerikan, duke ritheksuar një nga qëndrimet kryesore të administratës Trump. Megjithatë, sipas të njëjtit burim, presidenti amerikan nuk ka dhënë ende vendimin e tij përfundimtar mbi hapat e ardhshëm në raport me Teheranin, duke lënë të hapur mundësinë e zhvillimeve të reja në ditët në vijim.
