Ndërsa Ministria e Jashtme greke përgatitet të ndërmarrë një demarsh zyrtar ndaj autoriteteve ukrainase lidhur me incidentin e fundit me dronin në Lefkadë, ish-kryeministri i Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk, ka deklaruar se përgjegjësinë për situatën e mban Rusia dhe jo Kievi. Në një intervistë për Euractiv, Yatsenyuk u shpreh se “Greqia duhet të marrë një kërkimfalje nga Rusia dhe Vladimir Putini”, duke argumentuar se lufta e nisur nga Moska ka krijuar pasoja që prekin të gjithë Evropën.

Sipas tij, vendet e Evropës Lindore e kuptojnë më mirë realitetin e kërcënimit rus, ndërsa disa shtete të tjera të Bashkimit Evropian vazhdojnë ta perceptojnë konfliktin si një problem të largët.

“Putini e nisi këtë luftë 12 vjet më parë dhe shumë njerëz mendojnë ende se mund t’i shpëtojnë pasojave të saj. Nuk ka më distancë; të gjithë jemi nën kërcënim”, deklaroi ish-kryeministri ukrainas.

Komentet e tij vijnë pak ditë pasi kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, theksoi se shqetësimet e vendeve baltike për Rusinë duhet të shoqërohen edhe me mirëkuptim për shqetësimet e Athinës lidhur me Turqinë.

“E kuptoj shqetësimin e miqve të mi baltikë për Rusinë, por pres që edhe ata të kuptojnë shqetësimet tona dhe të shohin drejt Turqisë”, ishte deklarata e Mitsotakis për Financial Times.

Nga ana e tij, Yatsenyuk vlerësoi se Turqia mbetet një element kyç i arkitekturës së sigurisë së NATO-s dhe se marrëdhëniet mes Evropës dhe Ankarasë mund të menaxhohen më lehtë në të ardhmen nëse Bashkimi Evropian zhvillon një strukturë më të fortë të mbrojtjes së përbashkët. “Evropa duhet të tregojë forcën e saj”, përfundoi ish-kreu i qeverisë ukrainase.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: