Analisti dhe pedagogu Ermal Hasimja mbajti një fjalim në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, ku vuri theksin te përgjegjësia që politika ka ndaj qytetarëve dhe nevoja që opozita të fitojë besimin e shqiptarëve përmes veprave konkrete.

Duke përdorur një fabul simbolike për lidhjen mes punës dhe rezultatit, Hasimja theksoi se “punëdhënësi” i vërtetë i politikanëve është votuesi dhe se çdo projekt politik duhet të ndërtohet në funksion të interesit të qytetarëve.

Ai u shpreh se sfida kryesore e Partisë Demokratike është të bindë shqiptarët se partitë nuk janë njësoj, ndërsa nënvizoi rëndësinë e bashkimit të opozitës për të sjellë ndryshimin politik. Sipas Hasimes, pavarësisht vështirësive, historia e Partisë Demokratike dëshmon se ndryshimi është i mundur, ashtu siç ishte edhe rrëzimi i regjimit komunist 35 vite më parë.

Fjala e plotë:

Shumë kohë më parë në një qytet në Japoni një punëdhënës i kërkoi një muratori të vjetër që t’i ndërtonte edhe një shtëpi të fundit përpara se të dilte në pension. Muratori rezistoi pak, por më në fund pranoi. Ai mendoi ta hiqte qafe punën sa më shpejt e pa lodhje dhe bëri një shtëpi të thjeshtë me materiale të dobëta. Shtëpia dukej bukur nga jashtë, por ishte e dobët nga brenda. Kur muratori e mbaroi shtëpinë, punëdhënësi i tij i dha çelësat në dorë dhe i tha se kjo ishte dhurata e tij për punën që kishte bërë në vite.

Njësoj si në këtë fabul fati juaj është i lidhur me punëdhënësin tuaj. Dhe punëdhënësi juaj nuk është Partia Demokratike e as shteti shqiptar, por votuesi. Shqipëria që ju synoni të ndërtoni duhet të jetë po aq e mirë për ju sa dhe për çdo qytetar të këtij vendi.

Besoj se kur afrohet fushata e ardhshme secili prej nesh duhet të pyesë veten përse qytetarët votojnë për dikë. A votojnë që një politikan të ketë pushtet, që të ketë zyrë dhe makinë të bukur, që të pasurohet nga taksat tona?

Natyrisht që jo. Qytetarët nuk votojnë për ju apo për ata, qytetarët votojnë për veten e tyre. Prandaj nuk do të votojnë thjesht që të ikin disa pushtetarë e të vijnë disa të tjerë.

Do të votojnë që të zgjidhin të njëjtat halle që keni edhe ju kur jeni në familjet tuaja: që të kenë më tepër të ardhura për familjen, që të keni arsim të mirë për fëmijët, shëndetësi të sigurtë, rrugë normale dhe drejtësi të ndershme.

Sot qeveria nuk lodhet më për të bindur shqiptarët se është e ndershme. Por ia ka dalë me sukses të bindë një pjesë të mirë të tyre se partitë janë të gjitha njësoj. Unë mendoj se detyra kryesore e opozitës është të bindë shqiptarët se partitë nuk janë njësoj.

Ju keni detyrën e vështirë, por jo të pamundur për të treguar se Partia Demokratike e 2026s dallon nga pushteti i sotëm po aq sa Partia Demokratike e 1992-shit dallonte nga pushteti i asaj kohe apo nga pushteti i 2005s.

Dallimi nuk bëhet me fjalë e letra, por me vepra. Ne vendin më të korruptuar të Evropës ju keni detyrën të bindni votuesit më të gënjyer të Evropës.

Sot Partia Demokratike nuk është e vetme në opozitë. Partitë e reja janë një realitet që duhet pranuar. Përmes vullnetit konkret dhe të provuar Partia Demokratike ka vërtetuar se është e hapur për bashkëpunim.

Ky vullnet është pikërisht një nga dëshmitë pozitive të një partie që synon të mirën e vendit përtej interesit partiak. Vetëm një opozitë e bashkuar mund të ndryshojë qeverisjen aktuale. Mos të harrojmë se një pjesë e atyre që votojnë parti të tjera opozitare kanë votuar në të shkuarën për Partinë Demokratike dhe mund të votojnë përsëri për të në të ardhmen. Mos të harrojmë mbi të gjitha se cilido që voton për parti të tjera synon të njëjtën gjë me ata që votojnë Partinë Demokratike: ndryshimin e qeverisjes.

Misioni juaj është i vështirë. Disave u duket i pamundur. Nuk është e lehtë të përballesh me këtë qeverisje. Por mos harroni se 35 vjet më parë ky mision ishte shumë më i vështirë. Nëse ju duket e vështirë që të rrëzohet qeveria socialiste kujtoni se 35 vjet më parë e njëjta parti rrëzoi regjimin komunist më të egër të Evropës.

Edhe pas natës më të gjatë dikur do të vijë mëngjesi. Zoti e ka bërë këtë vend të mrekullueshëm. E mira mund të vonojë, por nuk do të pengohet dot.

Suksese!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb