Inxhinieri Xhevahir Ngjeqari i ftuar në studion e “Kjo Javë” në News24 foli për afatin e përfundimit dhe pretendimet mbi fluksin e pasagjerëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Ndërsa zyrtarisht dhe nëpër fushata premtohet një hapje e shpejtë, ai ka dhënë një parashikim krejtësisht ndryshe, duke u bazuar në ritmet aktuale dhe problemet kontraktuale që po zvarritin projektin.
Sipas Ngjeqarit, punimet në aeroport janë ende larg përfundimit dhe çdo premtim për një hapje të afërt është thjesht propagandë, pasi objekti nuk do të jetë gati për fluturime para vitit 2028.
“Na thonë që aeroporti do të hapet shpejt, por e vërteta teknike në terren tregon se ai nuk përfundon para vitit 2028. Janë me dhjetëra procese të pezulluara dhe zvarritje për shkak të konflikteve të brendshme mes ortakëve, ndaj dhe afatet e trumbetuara nuk kanë asnjë lidhje me realitetin,” u shpreh inxhinieri.
Ngjeqari u tregua kritik edhe ndaj shifrave të bëra publike nga autoritetet dhe projektuesit, të cilët deklarojnë se Aeroporti i Vlorës do të presë nga 3 deri në 5 milionë pasagjerë në vit. Sipas tij, këto shifra teknikisht mbeten të pamundura për t’u arritur në rrethanat aktuale.
“Dëgjojmë lloj-lloj shifrash fantastiko-shkencore, thonë se do të ketë deri në 5 milionë pasagjerë. Këto janë thjesht premtime në erë, pa asnjë bazë studimore apo logjikë ekonomike. Ku do t’i gjejë ky aeroport 5 milionë pasagjerë në vit, kur strukturat tona pritëse dhe logjistika e transportit nuk e mbajnë dot këtë peshë? Janë thjesht numra që hidhen në publik për të justifikuar miliona euro investime të gabuara,” deklaroi inxhinier Ngjeqari.
