Inxhinieri Xhevahir Ngjeqari, ka folur mbi veprat e mëdha publike në vend dhe prapaskenat e menaxhimit të tyre, gjatë një interviste të zhvilluar në emisionin “Kjo Javë” në News24, përballë gazetares Nisida Tufa.

Ai ka bërë një analizë krahasuese të disa prej investimeve kryesore në Shqipëri, duke nisur nga “Rruga e Kombit” e deri tek aeroportet dhe politikat e zhvillimit urban.

Duke u ndalur tek infrastruktura rrugore, inxhinieri theksoi se “Rruga e Kombit” është një nga të paktat vepra madhore që u çua deri në fund. Ai i njohu meritën ish-kryeministrit Sali Berisha për finalizimin e saj, por e konsideroi prerë si “një krim” vendosjen e taksës financiare në këtë aks.

Të njëjtin term ai e përdori edhe për të përshkruar ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, duke paralajmëruar për një dëm të rëndë ekonomik.

Ngjeqari theksoi se ndryshe nga aeroporti i Kukësit, i cili u financua nga fondet arabe, aeroporti i Vlorës do të subvencionohet me paratë e buxhetit të shtetit shqiptar.

Sipas inxhinierit, financimi i garantuar shtetëror për 10 vitet e ardhshme përbën një kosto të panevojshme dhe një gropë që do thellohet në dyert e gjykatave, ku koncesionarët mund të padisin shtetin dhe të kërkojnë dëmshpërblime.

Gjatë bisedës, Ngjeqari zbuloi edhe një propozim teknik që do të ndryshonte rrënjësisht pamjen e qyteteve, por që sipas tij shpërfillet qëllimisht. Ai shpjegoi se të paktën 60% e pallateve të vjetra të periudhës komuniste mund të ristrukturohen plotësisht ose t’u shtohet një kat, duke u modernizuar nga vetë banorët dhe ndërtuesit pa pasur nevojë as për një qindarkë nga buxheti i shtetit.

Ai ia drejtoi këtë sugjerim hapur deputetit të Partisë Socialiste, Erion Braçe, për ta marrë si nismë ligjore. Pavarësisht kësaj, inxhinieri u shpreh mosbesues: “Ata nuk e bëjnë këtë sepse duan vetëm lekët e popullit, duan të vjedhin”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb