Tirana Running Club organizon edicionin e dytë të aktivitetit familjar dhe sportiv “Run & Have Fun 2”, i cili do të zhvillohet më 31 Maj 2026, nga ora 09:00 deri në 13:00, në Pistën e Liqenit Artificial në Tiranë, me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës dhe APR.

Ky event synon të promovojë aktivitetin fizik, jetesën e shëndetshme dhe socializimin e fëmijëve përmes vrapimeve simbolike, lojërave argëtuese dhe aktiviteteve familjare në natyrë.

Pas suksesit të edicionit të parë në vitin 2025, “Run & Have Fun 2” vjen me mesazhin “Play/Run More. Scroll Less.”, duke adresuar një nga sfidat më aktuale të fëmijëve: kohën e tepërt para ekraneve dhe mungesën e aktivitetit fizik.

Aktiviteti synon të ndërgjegjësojë familjet për rëndësinë e lëvizjes që në moshë të hershme, të nxisë bashkëpunimin dhe përfshirjen sociale, si dhe të krijojë një traditë të qëndrueshme eventesh sportive dhe edukative për fëmijët në komunitet.

Tirana Running Club është një organizatë jofitimprurëse që promovon sportin, shëndetin dhe jetesën aktive përmes organizimit të aktiviteteve sportive dhe projekteve komunitare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb