Ka përfunduar procesi i numërimit të votave të delegatëve për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.
Sipas gazetarit Ergys Gjençaj, tashmë pritet vetëm njoftimi zyrtar nga partia për rezultatin final të zgjedhjeve.
Në total, nga ky proces do të përzgjidhen 200 anëtarë të rinj të Këshilli të PD, një organ i rëndësishëm që përcakton drejtimin politik dhe organizativ të partisë.
Ky këshill pritet të ketë rol kyç në formimin e Kryesisë së re të PD-së, e cila nga ana e saj do të ndikojë në strategjinë opozitare dhe përgatitjet për proceset e ardhshme zgjedhore, përfshirë zgjedhjet e pritshme të vitit 2027.
Kujtojmë se Kuvendi Kombëtar i PD-së ka miratuar dje Statutin e ri.
NDRYSHIMET NE STATUT:
1. Fuqizimi i Diasporës shqiptare dhe përfaqësimi real politik i saj. 15% në lista dhe në organet e partisë duhet të jenë përfaqësues nga Diaspora.
2. Fuqizimi i rolit të grave dhe vajzave në Parti, duke e rritur përfaqësimin e tyre nga 30 % në 40%.
3. Ngritjen e Komisionit të Seleksionimit të Kandidaturave për deputet dhe kryetar bashkie, si strukturë autonome nga organet drejtuese të partisë, përpara realizimit të procesit të primareve.
4. Përmirësimi i organizimit bazë të partisë (grupseksionet dhe nëndega) dhe forcimi i Kolegjit të Kryetarëve të Grupseksioneve.
5. Forcimi i raporteve mes Degëve të Partisë dhe të zgjedhurve vendor (këshilltarëve bashkiak).
6. Njohja e një statusi të barabartë për të gjitha organizatat partnere të partisë, duke respektuar historinë e themelimit të PDSH.
7. Mbrojtja e të dhënave personale të anëtarëve të Partisë.
8. Saktësimi i rregullave të shkarkimit të kryetarëve të degëve, duke i dhënë më shumë garanci të qëndrimit në detyrë.
