Një aksident me pasojë vdekjen e një 62-vjeçari është regjistruar pasditen e sotme në aksin rrugor Korçë-Bilisht. Sipas informacioneve paraprake, një automjet ka përplasur një këmbësor në fshatin Tren, në Bashkinë Devoll.

I plagosuri është transportuar menjëherë drejt spitalit për të marrë ndihmën mjekësore, por fatkeqësisht nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat po kryejnë veprimet procedurale dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Njoftimi i policisë: 

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin F. P., 47 vjeç, banues në fshatin Sul, Devoll, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.

Sot rreth orës 11:45, në aksin rrugor “Korçë-Bilisht”, në afërsi të kryqëzimit të fshatit Tren, automjeti me drejtues shtetasin F. P., ka përplasur shtetasin L. Sh., rreth 62 vjeç, i cili sapo kishte zbritur nga një automjet tjetër.

Si pasojë e aksidentit, 62-vjeçari ka marrë dëmtime trupore dhe ka ndërruar jetë më pas në spitalin e Korçës.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb