Elbasanit nuk ia doli të fitonte titullin kampion në këtë edicion në Superiore, por arriti një objektiv i cili në teori do të dukej i pamundur vetëm 5 vite më parë, kur klubi u themelua nga zero dhe luante tek amatorët.

Verdheblutë u shpallën në këtë edicion nënkampionë dhe siguruan praninë në Ligën e Konferencës, duke shënuar kështu debutimin e tyre në arenën ndërkombëtare, meqenëse janë një klub krejtësisht i ndryshëm nga Elbasani që ekzistonte më përpara dhe kështu e njeh zyrtarisht edhe UEFA.

Për verdheblutë, kjo eksperiencë e parë nuk do të jetë edhe aq e thjeshtë për shkak të koeficientit shumë të ulët që ka ekipi në renditjen e UEFA-s. Ata nuk futen me 0 në garë, por do të marrin koeficientin e kampionatit shqiptar. Dhe për fatin e keq të verdhebluve, koeficienti i kampionatit tonë është shumë i ulët, vetëm 1,625. Elbasani do të përfaqësohet me koeficientin e kampionatit, derisa i tiji personal ta kalojë atë, gjë që mund të ndodhë shumë shpejt në rast se zhvillojnë një sezon të mirë siç i ndodhi Dinamos. Ajo tashmë ka koeficientin personal 2,500 edhe pse me vetëm një edicion të luajtur në arenën ndërkombëtare.

Vetëm tre skuadra në listën e ekipeve pjesëmarrëse në turin e parë të Ligës së Konferencës kanë koeficient më të ulët se ai i Elbasanit dhe ata janë Petrovac i Malit të Zi (1,316), Mondorf-Le-Ben i Luksemburgut (1,325) dhe Kernarfon Taun i Uellsit (1,500). Kolërein i Irlandës së Veriut me koeficientin 1,450 i bashkohet turneut në turin e dytë të tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb