Një vit pas ndarjes nga jeta të Artan Lames, studiues e koleksionist, Neës24 hyn në shtëpinë e tij, ku ruhet muzeu i jashtëzakonshëm i historisë së Shqipërisë. Në një intervistë me të bijën Lisian, ne zbulojmë Lamen si baba dhe amanetet që la pas të shkruara. “Siç e shihni rreth meje, çdo gjë deri te kolltuqet ku jemi ulur janë pjesë e koleksionit Artan Lame.
Këto janë gjërat me të cilat kam dashur të jetoj gjithë jetën time dhe për mua, kjo është normalja, konstantja ime”, tha Lisia. Në përkujtimin që u bë për Tan Lamen, ajo tha se ka lindur dhe është rritur në një muze. Në intervistën e saj, ajo tregon këtë jetë, me një baba si Artan Lame. “Ishte interesante. Në fillim nuk e kuptoja se mendoja se kështu ishin dhe të tjerët.
Më vonë kuptova se kjo ishte normalja ime. Deri në pikën që ata që vinin habiteshin se si ishte e jetueshme një shtëpi e cila, u shërbente më tepër objekteve se sa njerëzve që jetojnë në të” tha ajo.
Ai ruante qytetin nga jashtë por edhe qytetin nga brenda, arkitekturën dhe legjendat, stemat dhe heraldikën dhe kjo ishte një sëmundje që ai ia kaloi edhe së bijës.
“Sëmundjen e të ruajturit të gjërave ma ka kaluar. Unë vetë nuk jam koleksioniste, por kam instinktin e tij dhe besoj se do rritet, por sa i takon koleksionit të tij, nuk mendoj se do të ndahen e të lëvizen”, tha Lisia Lame.
Me aftësinë që ta bëjë historinë të thjeshtë e të kuptueshme për të gjithë, Lame tregonte historinë e datave e të jetëve.
“Niste me një foto, a me një spilë dhe më pas hapej dollapi i armëve dhe niste shpjegimi i tyre. Kjo kishte ceremoni më vete hapja e dollapit sepse janë shumë dhe delikate, duheshin vënë doreza e marrë me kujdes. Shpatat atje janë ceremoniale dhe janë të gdhendura nga brenda dhe pjesët e tyre brenda kanë histori për të thënë dhe këto mi mësoi jo vetëm që të mos dëmtoheshin, por edhe që një ditë, kur ai të mos ishte, të ishte dikush që kishte aftësinë të dinte t’i trajtonte”, tha Lisia.
Për të, këto ishin përrallat e saj të fëmijërisë.
“Më shijonin shumë me tepër se gjërat e tjera sepse ishin të pazakonta dhe ndryshe nga çdo gjë që dinin miqtë e mi. Ndihesh ndryshe kur shkon në shkollë dhe thua dje po flisnim për një shpatë” kujton ajo.
Në këtë kuptim Tan Lame nuk ishte babai tradicional, por babai që e josh fëmijën në botën e tij të jashtëzakonshme të historisë e shënjimeve të saj.
“Ai nuk ishte tradicional dhe nuk e bënte se kishte agjendë për të shtyrë, ai thjesht ishte ashtu. Shpjegimi tij për këto objekte me tërhiqte mua, por përpjekja e tij për të m’i shpjeguar mua gjërat, ishte po aq sa përpjekja e tij për tua shpjeguar të tjerëve gjërat. S’më ka munguar babai tradicional, sepse ai që kisha ishte më interesant ”, thotë Lisia.
Ajo kujton se pasioni i tij e konsumonte shumë, ndërsa tipari i tij si shtetar, i apasionuar për shtetin e shoqëroi deri në fund. “Ishte një person që dinte ta shihte në pikëpamjen moderne. Ai besonte shumë te shteti shqiptare dhe kjo ishte e vetmja gjë që nuk e la kurrë, edhe kur dilte ta kritikonte. Ai prapë besonte. Ai thoshte se edhe pas vdekjes, do ta besonte”, thotë e bija, sepse shtetet funksionojnë mbi besimin që njerëzit kanë te shteti.
E bija kujton edhe herën e parë, kur Lamja hyri në një operacion që doli me sukses, çka ndryshoi mënyrën se si e shihte jetën dhe të jetuarin kuptimplotë. Por para se të ikte në majin e vitin të shkuar, ai la një letër, një letër për të bijën, me amanetet e porositë.
“Nuk më la porosi, ditët e fundit me të nuk kishin diskutime. E vetmja porosi e lënë ishte e shkruar në rast të ndërrimit të jetës. Porosia ishte për përfundimin e muzeut që ishte qëllimi i jetës së tij dhe ruajtja e koleksionit, që të mos shpërbëhej e të mos shkonte në 100 duar. Unë nuk e doja që e kishte lënë letrën. Nuk e kisha idenë. E gjeta vetë disa ditë pas kthimit në Tiranë dhe e kuptova se ky ishte prioriteti i tij në ditët e fundit para se të ikte në Mynih”, thotë Lisia Lame.
