Sezoni 2025–2026 te Tirana është karakterizuar nga një valë shumë e madhe largimesh, ku lista përfshin 30 lojtarë dhe prek pothuajse të gjithë strukturën e skuadrës, nga portieri deri te sulmi. Lëvizjet janë të shpërndara në mënyrë të barabartë në të gjitha repartet, duke treguar një ndryshim të thellë në organikën e ekipit.
Në portë janë regjistruar disa largime të rëndësishme që kanë ndikuar në të gjithë hierarkinë e këtij reparti. Gentian Selmani, si një nga emrat më me peshë, është larguar së bashku me Angelo Tafasin, Romeo Harizajn dhe Leon Kozin, duke ulur ndjeshëm konkurrencën për pozicionin e titullarit. Gjithashtu, Mustafë Abdullahu është larguar pas huazimit, duke e lënë repartin me një strukturë tërësisht të ndryshuar krahasuar me sezonin e mëparshëm.
PRAPAVIJA – Mbrojtja është pa dyshim reparti më i goditur nga largimet, si në numër ashtu edhe në cilësi. Nga skuadra janë larguar Florjan Përgjoni, Mahamadu Dembele, Georgios Valerianos, Qendrim Ismajli, Gledi Mici, Ziad Ouled-HajM’hand, Anton Kresiç (pas huazimit), Kleandro Lleshi, Ergi Bastari dhe Diar Halili. Ky grup përfshin lojtarë me eksperiencë ndërkombëtare, lojtarë të formuar në kampionatet rajonale, si edhe elementë të rinj në zhvillim. Humbja e tyre ka prekur si qendrën e mbrojtjes ashtu edhe krahët, duke krijuar boshllëk të madh në stabilitetin defensiv dhe në alternativat taktike.
NË MESFUSHË – Largimet e Ian Soler, Erisildo Smaçit, Tsotne Patsatsias, Hajrulla Tolës dhe Eliton Zhunior janë disa. Ky repart ka humbur lojtarë që mbulonin role të ndryshme, nga mesfushorë qendrorë me profi l mbrojtës deri te elementë ofensivë. Sulmi është reparti me numrin më të madh të largimeve dhe me ndikimin më të dukshëm në aspektin ofensiv. Emanuel Ernest(2 herë), Ualid Zharmuni, Akileu Ndreca, Viktor Fernandez, Abel Abah, Admir Bajroviç, Aldi Gjumsi, Fatmir Prengaj dhe Alfred Mensah janë larguar nga skuadra. Këto largime kanë prekur si sulmuesit qendrorë ashtu edhe ata anësorë.
XHIXHA – Bardheblutë presin vendimin përfundimtar nga Redon Xhixha. Burime në klub bëjnë me dije se lojtari do të jetë pjesë e bardhebluve për sezonin e ri. Gjithsesi, për firmën e sulmuesit duhet pritur edhe pak ditë.
