“Çështja e origjinës së pronës i takon SPAK”, kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në një komunikim për mediat.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se çështja e origjinës së pronës do mbulohet nga një hetim i pavarur dhe profesional përmes SPAK. Gjithashtu ai nënvizoi se në rast se shitësi ka origjinën legjitime të pronës do marrë paratë, në rast se jo paratë do i mbetet Republikës së Shqipërisë.
“Pozitive që SPAK ka vendosur të mbajë të ngrira fondet pa i lënë të kalojnë te shitësi, për të cilin ka hetim. Në këndvështrimin tim është pozitive për këto që pretendon pronë në atë territor, sepse tanimë çështja e origjinës së pronës do të mbulohet nga një hetim i pavarur dhe profesional i SPAK-ut dhe në të dyja rastet rezultati do jetë i padiskutueshëm nga pikëpamja ligjire, por do t’i japë fund çdo spekulimi e çdo manipulimi që nuk bazohet në ligj. Në rast se shitësi ka origjinën legjitime të pronës do marrë paratë, në rast se jo, paratë do i mbeten Republikës së Shqipërisë, dhe do provojë cilindo që do pretendojë se pretendimin mbi pronën e ka. Merr fund këtu pretendimi ia tyre që janë të sinqertë dhe ata që kanë kurdisjen e tyre me duar të tjera nga mbrapa”, deklaroi Rama.
