Kryeministri Edi Rama i cilësoi reagimet e fundit, siç janë protestat dhe qëndrimet e ditëve të fundit mbi projektin për Zvërnecin, luftë hibride.
Ai tha se do të marrë fund kjo luftë. Sipas kreut të qeverisë, vende dhe aktorë që kundërshtojnë zgjerimin dhe ndikimin e Bashkimit Evropian organizojnë dhe nxisin situata të ngjashme në vende të ndryshme, duke përdorur veçanërisht çështjet mjedisore si pikë mbështetjeje për të ndikuar në opinionin publik.
“Kush nuk ka kuptuar nuk ka për të kuptuar as me fjalën e agjencive ligjzbatuese. Dihet botërisht, sepse për këtë jemi të respektuar edhe brenda NATO-s, kemi një nga mbrojtjet më të forta kundër terrorit kibernetik dhe kemi një pasqyrë të plotë se nga vijnë e nga shkojnë, por ky është territor i terrorit kibernetik që ka ardhur edhe në vendin tonë. Janë të panumërta burimet që kanë nxjerrë studime se si vendet kundër BE organizojnë e nxisin situata të kësaj natyre, sidomos duke përdorur mjedisin sepse është një çështje e ndjeshme”, deklaroi Rama.
