Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka dërguar një mesazh të fortë ndaj Teheranit, duke deklaruar se opsioni ushtarak mbetet ende i hapur, në një kohë kur negociatat mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për programin bërthamor ndodhen në ngërç dhe tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të jenë të larta.

Në një intervistë për CNBC, Netanyahu e cilësoi situatën aktuale si një “lojë taktike” dhe tha se Irani është plotësisht i vetëdijshëm për qëndrimin e Uashingtonit. “Irani e di atë që ka deklaruar Presidenti Trump, se nëse është e nevojshme do të ketë një rikthim të plotë të operacioneve ushtarake. Vendimi i takon presidentit, por Izraeli është gati dhe forcat amerikane janë gjithashtu gati”, u shpreh ai.

Kreu i qeverisë izraelite akuzoi udhëheqjen iraniane se po “luan me zjarrin” dhe paralajmëroi se Teherani duhet të marrë seriozisht pasojat e veprimeve të tij. Netanyahu shprehu gjithashtu mbështetjen për politikën e presidentit amerikan Donald Trump në lidhje me Ngushticën e Hormuzit, duke e cilësuar si “gjeniale” taktikën e bllokimit të porteve iraniane.

Duke komentuar kritikat ndërkombëtare ndaj Izraelit, ai i lidhi ato me persekutimin historik të popullit hebre dhe theksoi se shteti izraelit ka të drejtën të mbrohet nga ata që synojnë shkatërrimin e tij.

Kryeministri izraelit u ndal edhe te marrëdhëniet e tij me presidentin amerikan Donald Trump, duke mohuar zërat për një përçarje mes tyre. Sipas Netanyahut, edhe pse ka mosmarrëveshje të herëpashershme për çështje të caktuara, të dy liderët mbeten të bashkuar në objektivin kryesor: parandalimin e Iranit për të siguruar armë bërthamore.

“Ashtu si në familjet më të mira, ka herë pas here mosmarrëveshje për mënyrën se si duhen trajtuar disa çështje. Por ne gjithmonë gjejmë një mënyrë për t’i kapërcyer ato dhe e bëjmë këtë si miq të mirë”, theksoi Netanyahu.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: