“Rama ik” dhe thirrje për dorëheqjen e Kryeministrit kanë jehuar në protestën kundër projektit turistik në Zvërnec, ku qindra qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur për të kundërshtuar investimin që po shkakton debate të forta publike.
Gjatë tubimit, një protestuese iu drejtua turmës me një apel për të ruajtur qetësinë, duke pretenduar se mes pjesëmarrësve ka persona që synojnë të provokojnë incidente dhe të dëmtojnë protestën.
“Ju lutemi të gjithëve mos bini pre e provokimeve. Patronazhistët janë mes nesh duke provokuar dhunë. Duan të sabotojnë këtë bashkim madhështor të shqiptarëve. E arritëm qëllimin, erdhëm para Kryeministrit. Kërkojmë dorëheqjen. Ne nuk jemi të dhunshëm si kjo qeveri dhe oligarkët”, deklaroi ajo.
Fjalimi i saj u shoqërua me duartrokitje dhe brohoritje nga protestuesit, të cilët vijuan të kërkojnë ndalimin e projektit në Zvërnec. Në protestë nuk munguan as thirrjet “Rama ik”, ndërsa pjesëmarrësit theksuan se kundërshtimi i tyre do të vazhdojë përmes formave paqësore të reagimit qytetar.
Protesta kundër ndërtimit në Zvërnec po zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, ndërsa kundërshtarët e projektit kërkojnë anulimin e tij, duke argumentuar se prek një zonë me vlera të veçanta natyrore dhe mjedisore.
