Kosova U21 ka pësuar humbje me rezultat minimal, 1:0, në ndeshjen miqësore kundër Turqisë U21, të zhvilluar në Stamboll. Përkundër angazhimit të madh dhe rasteve të shumta të krijuara, veçanërisht në pjesën e parë, Dardanët e rinj nuk arritën të konkretizonin mundësitë e tyre, ndërsa vendasit shfrytëzuan një rast për të siguruar fitoren.

Pas përfundimit të ndeshjes, përzgjedhësi Hekuran Kryeziu dhe futbollisti Igball Jashari dhanë vlerësimet e tyre lojën e paraqitur.

Kryeziu: Na mungoi fati, pjesa e parë ishte shumë pozitive

Përzgjedhësi i Kosovës U21, Hekuran Kryeziu, u shpreh i kënaqur me atë që skuadra tregoi në fushë, ndonëse pranoi se fati nuk ishte në anën e tyre në momentet vendimtare.

“Në pjesën e parë dolëm disa herë në raste të mira për shënim, por thjesht nuk e di se çfarë fati patëm sot që nuk e dërguam topin në rrjetë. Pjesa e dytë pati shumë zëvendësime kështu që mund të ketë rënë pak qarkullimi i lojës. Sidoqoftë, besoj se ishte një ndeshje tërësisht e barabartë. Përshtypjet janë të mira, sidomos për pjesen e parë ku krijuam disa raste, gjë që është shumë pozitive, ashtu siç pati momente të mira edhe në pjesën e dytë”, tha Kryeziu.

Jashari: Futbolli të dënon po nuk shënove, por jemi plot motiv për ndeshjen radhës

Nga ana tjetër, futbollisti Igball Jashari theksoi se ekipi meritonte më shumë nga kjo përballje, por vlerësoi karakterin dhe motivin që ekipi ka për sfidën e radhës.

“Jemi të kënaqur me angazhimin e secilit lojtar pa përjashtim. Kemi pasur momente mjaft të mira në lojë, por në futboll vlen rregulli i pashkruar se po nuk shënove, pëson. Në momentin tonë më të mirë, ne pësuam atë gol dhe rezultati final doli 1:0. Sidoqoftë, edhe pse humbëm, ne mbetemi pozitivë sepse luajtëm mirë dhe jemi plot motiv për ndeshjen e radhës kundër Luksemburgut”, tha Jashari.

Kombëtarja U21 do të zhvendosë menjëherë vëmendjen te miqësorja e dytë e këtij grumbullimi, atë kundër Luksemburgut, e cila do të zhvillohet më 6 qershor në orën 17:00, në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, ku synohet të transferohet kjo performancë e mirë në një rezultat pozitiv.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb