Mijëra qytetarë shqiptarë prej ditës së dielë kanë nisur një protestë që ka kulmuar me vendosjen përballë Kryeministrisë, me thirrjet për mbrojtjen e territorit të Zvërnecit.
Protesta ka vijuar edhe me thirrjet kundër lidhjeve të krimit me qeverinë si edhe kritikat ndaj opozitës e censurës, duke mbledhur protestues të shumtë të të gjitha moshave, aktivistë e shumë të tjerë.
Përveç debatit publik në Shqipëri, protesta ka arritur të kthehet në një pikë të rëndësishme të tërheqjes së vëmendjes edhe ndërkombëtarisht.
Së fundmi, në faqen e medias prestigjioze britanike, The Guardian, lajmi për protestat në Shqipëri është renditur si më i lexuari së fundmi, duke ilustruar vëmendjen e madhe që ngjarja ka marrë përtej kufijve.
Po ashtu, rasti është raportuar nga të tjera mediume prestigjioze si New York Times, Reuters, CNN dhe më tepër.
Sakaq, ditën e sotme është lajmëruar protesta e radhës në bulevard, ndërsa janë thirrur edhe organizime të tjera jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë dhe përtej Atlantikut përballë përfaqësive diplomatike shqiptare.
