Titulli në Serie A, i pari për të në karrierë si trajner, i parë në elitën e futbollit italian, hipotekoi pozicionin e tij në krye të Inter. Nuk kishte asnjë dyshim në lidhje me të ardhmen e tij, por palët, Chivu dhe presidenti Marotta, u ulën në një tavolinë ditën e enjte për të gjetur një akord të ri. Nga zyrat në Milano, ashtu siç pritej doli “tym i bardhë”, me Chivu-n dhe Marotta-n që formalizuan detajet e fundit për rinovimin e kontratës deri në 2028.
Rinovimi ishte në ajër, pasi kishin gjetur një akord prej kohësh, por ky takim shërbeu edhe të projektuar sezonin e ri ku objektivi nuk ndryshon, të mbrojnë titullin kampion.

Në një intervistë për La Gazzetta dello Sport, Chivu theksoi se ekipi i tij ka uri, uri për të fituar trofe, ndërsa Champion League nuk është një opsesion: “A do të qëndroj tek Inter më gjatë se Marotta? Nëse nuk humbas tre ndeshje radhazi, mbase po. Gjatë sezonit kishte një moment që realisht mund të shkarkohesha, mbi të gjitha pas humbjes kundër Udineses dhe Juves. Mbijetova pasi unë nuk shoh kurrë pas, nuk mendoj për ndeshjen që iku, por përqendrohem vetëm tek ndeshja e radhës. Champions? Mund dhe duhet të kishim bërë më mirë. Kemi ambicie, kjo pasi na e imponon historia, por nuk duhet të jemi të fiksuar, duhet ta marrim Champions hap pas hapi”, u shpreh Chivu, i cili ndër të tjera pranoi se Palestra është një lojtar që i pëlqen, një profil që do t’i shërbente ekipit.
