Kryeministri Edi Rama është përballur me momente tensioni gjatë një takimi me banorët e Zvërnecit në Vlorë, ku debati është fokusuar te projekti turistik dhe çështja e pronave në zonë.
Gjatë bashkëbisedimit, disa banorë e kanë akuzuar qeverinë për grabitjen e pronave në bregdet.
Përballë kundërshtimeve dhe ndërhyrjeve të vazhdueshme nga të pranishmit, Rama është acaruar, duke humbur qetësinë në disa momente dhe duke ngritur zërin gjatë debatit.
Takimi u shoqërua me replika të forta mes kryeministrit dhe banorëve, të cilët shprehën hapur kundërshtimin e tyre ndaj projektit që ka shkaktuar polemika dhe protesta të njëpasnjëshme në Tiranë.
Pjesë nga debati i kryeministrit
Qytetari: Jam një nga pronarët e Zvërnecit. Ajo pronë është grabitur me dokumente të falsifikuara.
Rama: Nuk është çështja ime nëse toka është grabitur. Jam këtu për të folur në lidhje me raportin e qeverisë në raport me këtë projekt.
Banore: Jam Minella Balliu, një nga pretendentët. Ajo pronë është grabitur me dokumente të falsifikuara.
Edi Rama: Nuk është çështja ime kjo.
Minella Balliu: Jo e juaja, e drejtësisë së korruptuar.
Edi Rama: Po fillove drejtësia e korruptuar. Çfarë të të them unë. E besoni ju që ne kemi një zonë që kemi pronar në det. Kemi parcela në det, jo këtu, në një zonë tjetër. Se parcela të kufizuara mbi tokë jeshile, gjysmë jeshile, kafe, edhe mbi shkëmbinj kam parë pronarë. Por në det, blu deti, aty ka pronar. Këtu është bërë nami me pronën dhe nuk erdhëm ta zbulojmë sot. As po të them që s’ka të drejtë. Mund të kesh shumë të drejtë, po këtë të drejtën ku e gjen. Vetëm tek drejtësia. Këtu ka dhe shumë gjykatës që ka prona.
Banori: Na është mohuar zëri.
Rama: Ja ku jam unë, kam ardhur të dëgjoj.
Banori: Bido ka fol me emra…
Rama: I thash je në të drejtën tënde të flasësh atë që mendon, por nuk është gjykatës.
Banori: Prona është në proces gjyqësor dhe s’duhet të kishte nisur asgjë.
Edi Rama: Procese gjyqësore janë në të drejtën e gjithsecilit. Nëse dikush mund të hapë proces gjyqësor për këtë godinën, por kjo s’do të thotë që kjo godina s’mund të shembet dhe të ndërtohet një shkollë. Sa kohë s’ka vendim nga gjykata që çështja për të cilën është hapur procesi është një çështje që duhet të ngrijë, vazhdon jetën. Se i bie të gjithë të hapin procese gjyqësore.
Edi Rama: Jemi dakord që projekti të zhvillohet, por prona të kthehet tek pronarët.
Edi Rama: Agjencia i verifikon me kadastrën. Kadastra ka thënë këta janë, nga ana e letrave është ndjekur procedura si për të gjithë të tjerët. Fati në këtë rast, i juaji mund të mos ishte fare në hetim personi në fjalë, ose mund të mos kishte asnjë lidhje SPAK që ka hyrë në këtë proces krejt natyrshëm . Nëse ju dilni pronar, paratë që janë të ngrira i konfiskohen dhe bëhen para të shtetit dhe shteti merret me pronarë. Urdhëro leket dhe vazhdo punën. SPAK ka punën e vet, ne punën tonë.
Banori: Çështja e Zvërnecit është një problem pak kompleks, por që duhet zgjidhur. Me ardhjen e demokracisë, neve… Unë mora letër dhe ma hoqe me të padrejtë.
Rama: Kush ta hoqi?
Banori: Dikush tjetër.
Rama: Unë jam këtu për t’u vendosur fytyrën gjërave për të cilat përgjigjem vetë. Dhe po të më kishit zgjedhur më përpara, ndoshta do të kishin ecur gjërat më mirë. Po të më kishit zgjedhur më parë, ndoshta do të kishin shkuar gjërat më mirë.
Banori: Të ma rrëmbesh mua në 2006-ën? Po ai që bleu tokën në Zvërnec, qysh e bleu ai? Kur toka ishte e grabitur edhe është në gjyq?
Rama: Po ule pak mikrofonin, se kur e mban mikrofonin ashtu, nuk pret të më dëgjosh, por duket se do më godasësh. Ti ke një shtëpi dhe në letra figuron e jotja. Ndërkohë 2 vëllezërit e tu të kanë hedhur në gjyq, sepse ti pretendon se shtëpia është e tyre. Ti thua ‘kjo shtëpi është e imja’, ata thonë ‘babai ty të ka bërë lanet’.
Banori: Mua duhet të ma zgjidhë problemin shteti. Jo të bredh unë gjyqeve, kam që në 2006 që bredh gjyqeve e paguaj para kot.
Rama: Ai pushtet duhet të ta thotë, nuk ta them dot unë. Fshatari ka të drejtën e vetë të thotë ‘unë kam këtë letër’. O vlla do të më bësh mua të shaj gjykatën? Unë gati jam, por do më prishësh punë me Europën. Po mos më fut në sherr me Europën prapë. Unë gati jam të bashkohem me ty. Po mirë ti thua ‘hajde bashkohemi bashkë t’i gjejmë shtëpinë gjykatësit?’. Po e kapëm ne gjykatësin, të na bashkohet edhe ky tjetri, gjykatësi nuk ka asnjë shans. Por kjo është demokracia? Unë di këtë, fuqia ime si kryeministër mbaron aty ku fillon fuqia e Gjykatës. Mos më fut mua tani që të shajmë gjykatat, sepse po ndenjtëm ne këtu duke u marrë me ta, do na kapin të dyve pastaj.
