Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa e njohur për angazhimin e saj të vazhdueshëm në mbrojtje të trashëgimisë kulturore dhe veçanërisht për betejën e saj kundër dhënies në administrim të Parku Kombëtar i Butrintit, ka deklaruar se ndryshimi i Ligjit nr. 27/2018 për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë është një nga kërkesat më të drejta të protestuesve.

Zhupa kujtoi se ka depozituar dy herë projektligjin për heqjen e koncesioneve nga ky ligj, por ai është rrëzuar nga shumica parlamentare.

Sipas saj, legjislacioni aktual i jep mundësi privatëve të vendosen mbi shtetin në administrimin e pasurive kulturore, duke rrezikuar identitetin kombëtar dhe duke e trajtuar trashëgiminë e shqiptarëve si mall tregtar.

Deputetja theksoi se rastet e Butrintit dhe të modelit BID/TID në Durrës dëshmojnë nevojën urgjente për rikthimin e rolit garantues të shtetit mbi trashëgiminë kulturore të vendit.

Reagimi i plotë

Paraqita dy herë projektligjin për të hequr koncesionet nga Ligji nr. 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”. Herën e parë, më 11 maj 2022, u diskutua në komisione, por u la në sirtar deri në fund të legjislaturës. E ridepozitova më 29 shtator 2025, por shumica e rrëzoi me 19 shkurt 2026 me arsyetimin absurd se nuk duhej penguar sektori privat të merrte në administrim trashëgiminë kulturore.

Sot, një nga kërkesat më të drejta të protestuesve është pikërisht ndryshimi i këtij ligji. Sepse ky ligj e ka trajtuar trashëgiminë kulturore jo si pasuri kombëtare, por si mall tregtar për interesa klienteliste dhe lobuese. Edhe ne e ridepozitojmë edhe njëherë në kuvend ketë nismë timen që lindi pikërisht nga koncesioni famëkeq i Butrintit.

Ligji aktual vendos privatin mbi shtetin në administrimin e trashëgimisë kulturore, duke krijuar një model koncesionar që bie ndesh me frymën e Kushtetutës. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e ngarkon shtetin me detyrën për të mbrojtur identitetin kombëtar dhe trashëgiminë kulturore, jo për t’ia deleguar atë fondacioneve apo interesave private.

Sot kemi prova konkrete. Në Butrint, Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit dhe AADF janë vendosur mbi institucionet shtetërore. Në Durrës, me modelin BID/TID, po përsëritet e njëjta logjikë. Çdo hap larg shtetit është një hap larg garancisë publike për historinë dhe identitetin tonë.

Prandaj, kjo protestë nuk është vetëm për të sotmen. Është për Shqipërinë e brezave që do të vijnë. Dy herë u refuzua zëri ynë në Kuvend. Tani është koha që ky ndryshim të vijë me forcën e zërit të qytetarëve shqiptarë. Qoftë e treta e vërteta.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb