Në podiumin e Çmimit të Madh të Monakos, një prej garave më ikonike të Formulës 1, mes atmosferës së zjarrtë të tifozëve përgjatë “Rue Princesse Caroline”, Andrea Kimi Antoneli u emocionua sërish. Ai ngriti lart trofeun e fituesit, ndërsa mentori dhe shefi i tij te Mercedesi, Toto Volf, e përqafoi me entuziazëm.
Formula 1 po bindet gjithnjë e më shumë se talenti nga Bolonja është shumë më tepër sesa një premtim i madh. Avantazhi prej 66 pikësh ndaj Luis Hamiltonit dhe 68 ndaj shokut të skuadrës Xhorxh Rasëll flet qartë për dominimin e tij.
REKORDE – Antoneli vazhdon të thyejë rekorde. Në moshën 19-vjeçare ai u bë fituesi më i ri në historinë e Çmimit të Madh të Monakos, ndërsa lidhja e tij me makinën Mercedes duket pothuajse perfekte. Piloti, të cilin vetëm nëna e thërret Andrea, po jeton një periudhë të jashtëzakonshme suksesi, duke ruajtur një thjeshtësi që nuk përputhet me madhështinë e rezultateve të tij.
“Puna ime ende nuk ka përfunduar”, deklaroi Kimi, ndërsa ende festonte me shampanjë. Një përgjigje që tregon mentalitetin e kampionit. Natyrisht, pyetjet për titullin botëror nuk munguan. Këtë herë Antoneli nuk i shmangu. Duke kujtuar një frazë të famshme të legjendës së NBA-së, Kobi Brajant, ai u shpreh: “Sezoni është shumë i gjatë. Duhet të vazhdojmë të punojmë fort dhe të rrisim nivelin. Objektivi është të vazhdojmë të performojmë në këtë mënyrë”. Pesë fitoret radhazi nuk mund të konsiderohen më rastësi. Tashmë po flitet seriozisht për lindjen e një ylli të ri të Formula 1.
GODITJA NË MONAKO – Mesazhi i Antonelit ishte i qartë që në sesionet kualifikuese, kur la pas favoritët vendas dhe rivalët kryesorë. Në garë ai zhvilloi ndoshta performancën e tij më të plotë që nga debutimi në Formula 1. As dy rifillimet e garës nuk arritën ta lëkundnin. Ai realizoi një fundjavë perfekte, ndërsa rivalët gabuan.
Veçanërisht Xhorxh Rasëllë, i cili vazhdon të shfaqë vështirësi në përshtatjen me Mercedesin, në kontrast të plotë me shokun e tij të ekipit. Sipas ekspertëve, stili i drejtimit të Antonelit i përshtatet më mirë karakteristikave të makinës aktuale, çka shpjegon pjesërisht diferencën e madhe mes dy pilotëve. Në garën për kampionatin, kandidatura e italianit është më e fortë se kurrë. Ai ka krijuar një diferencë që i afrohet avantazhit të 3 fitoreve dhe tashmë Hamilton po shfaqet si rivali kryesor për titullin.
BATUTAT PËR MOSHËN – Pas garës ndodhi edhe një moment interesant mes tij dhe Luis Hamiltont. “Ti je 21 vjeç, apo jo?”, e pyeti Hamilton. “Jo, 19”, iu përgjigj Antoneli. Britaniku mbeti i habitur: “19? Vërtet?”, përsëriti shtatë herë kampioni i botës, përpara se të vlerësonte rivalin e ri, duke shtuar: “Ai po bën një punë të jashtëzakonshme dhe Mercedes ka ndërtuar një makinë fantastike”, deklaroi Hamilton. Në Monako, bota e Formulës 1 vazhdon të mahnitet nga fenomeni Kimi Antoneli. Për publikun ai është talenti që po pushton sportin. Për nënën e tij, megjithatë, ai mbetet thjesht Andrea.
