Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka mbajtur një fjalim të fortë në Kuvend, ku e cilësoi heqjen e sanksioneve ndaj Sali Berisha si një fitore historike për liderin demokrat dhe për mbështetësit e tij.
Noka deklaroi se Berisha ka triumfuar pas një beteje disa vjeçare, duke pretenduar se përpjekjet për ta izoluar politikisht kanë dështuar. Ai e përshkroi këtë zhvillim si një moment të rëndësishëm për demokratët dhe për ata që, sipas tij, besojnë te liria dhe demokracia.
Në fjalën e tij, deputeti demokrat sulmoi ashpër mazhorancën, duke deklaruar se qytetarët po shprehin hapur pakënaqësinë e tyre në rrugë dhe se qeveria nuk mund të fshihet më pas faktorëve ndërkombëtarë. Duke iu drejtuar socialistëve, Noka paralajmëroi se koha e tyre në pushtet po shkon drejt fundit dhe se do të duhet të përballen me përgjegjësinë për mënyrën se si kanë qeverisur vendin.
“Sot një betejë për dinjitet u fitua nga njeriu që ka fituar çdo betejë. Sot Sali Berisha fitoi një betejë me forcat më të errëta, jo vetëm të vendit, por edhe në nivel global. E vërteta vonon por nuk harron. Sot Sali Berisha triumfoi mbi George Sorosin, padrinon e këtyre këtu. Mbi Blinken-in, kukullën e George Sorosit që vinte dhe kreun e një narko-shteti e uronte si një shtetar i madh. Sot Sali Berisha hodhi si rrecka tutje, Kimeten e Sorosit e cila u thoshte demokratëve dhe shqiptarëve se do të hani bar. Sot Sali Berisha, i përbaltur prej rreth pesë vitesh, i kryqëzuar dhe i sulmuar si askush tjetër, i burgosur nga këto forca të errëta të së keqes, ju del këtu dhe ju thotë, ja ku jeni. Më i hetuari, më i luftuari, më i sulmuari, doli si kristal. Sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo Amerikë që ka ëndërruar gjithmonë çdo shqiptar, i hoqi njollën që Edi Rama, George Soros dhe gjithë mafia ndërkombëtare u përpoqën t’ia vendosnin mbi shpinë.
Kjo është një fitore shumë e madhe dhe për vendin tonë. Por bota është e rrumbullakët thotë populli. Kujtoj ditët kur këtu na kryqëzonit, sa përmendej emri apo sa hynte në sallë Sali Berisha. Populli nuk ju do. Tani është rrotulluar. Ja ku e keni popullin. Tani populli po ju flet ju, po ju flet direkt. Nuk ka nevojë t’ju flasë as me Blinken-in as me Sorosin. Ka dalë, ka zbritur rrugëve të Tiranës t’ju flasë me zë dhe me figurë… Koha e juaj dhe e karteleve për të qeverisur këtë vend ka marrë fund. Është koha të jepni llogari. E keni vjedhur e keni shtypur, e keni shpopulluar këtë vend. Është koha të jepni llogari. Kur jua thoshim, qeshnit. Tani gëzohuni, zgërdhihuni se po ju vjen fundi…”, tha ai.
