Analisti Mentor Kikia ka analizuar protestën që po mbahet prej 11 ditësh në Tiranë, ndërsa revoltat kanë shpërthyer edhe në vendet ku jetojnë shqiptarë kudo në botë.
Në një lidhje përmes skype për “Programin e drekës” në News24 me gazetaren Ola Bruko, Kikia tha se protesta është drejt rrugës së revolucionit.
“Ka shumë faktorë që ndikojnë te ky masivitet. Ajo që është me rëndësi, është le të themi qytetaria që e përshkon zhvillimin e kësaj proteste. Nuk bëhet fjalë për një target të popullsisë, si rinia apo fermerë. Aty flitet për gjithçka dhe asgjë konkrete. Gjithçka është përqendruar te largimi i qeverisë. Kjo nënkupton një fakt shumë domethënës, që edhe nëse do të duhet të negociosh me një individ apo një grup, që ekspozohen nesër si përfaqësues zyrtar, do të jetë e vështirë që ty përcaktosh çështjen me të cilën do të negociohet. Pjesëmarrja nuk është vetëm çështja mjedisore, Zvërneci, pasi ajo ishte simbolika. Flamingo është shndërruar në shpendin e dytë më të rëndësishëm shqiptar, Shqiponja simbol i bashkimit, Flamingo i reagimit. Kjo është ngjarje e rëndësishme pasi ne rrallë protestojmë, siç ishte në 97-ën, kur na morën paratë nga xhepat, apo në 2013 për armët kimike dhe më pas protestat e studentëve. Qytetarët rrallë kanë zbritur në rrugë. Do të doja që kjo protestë të futej në rrugën e kryengritjes, tani jemi në reagim masiv qytetar. Ende nuk kemi një përballje politike me qeverinë apo koncetrim të kësaj proteste në formën e një projekti politik.”, tha ai.
