Gazetari dhe analisti Mentor Kikia ka komentuar zhvillimet e fundit rreth protestës kundër projektit të Zvërnecit, duke vlerësuar se ajo tashmë ka kaluar përtej çështjes fillestare të pronësisë dhe ka marrë një dimension të qartë politik. Sipas Kikisë, protesta nuk fokusohet më vetëm te kundërshtimi i projektit në zonën e Zvërnecit, por është shndërruar në një reagim më të gjerë qytetar ndaj qeverisjes.

Kikia theksoi se pjesëmarrësit në protestë janë kryesisht qytetarë, të rinj të Gjeneratës Z dhe intelektualë, të cilët sipas tij nuk i janë përgjigjur thirrjeve të partive politike, por janë bashkuar spontanisht për shkak të shqetësimeve të tyre.

Në një intervistë në “Programin e Drekës në News24, ai identifikoi dy faktorë kryesorë që, sipas tij, mobilizuan protestuesit. I pari lidhet me videon e publikuar së fundmi ku shfaqej dhuna ndaj një qytetari, e cila shkaktoi reagim të fortë publik. Faktori i dytë, sipas tij, ka të bëjë me shqetësimet mjedisore dhe ndjenjën patriotike të lidhur me projektin e kundërshtuar.

Analisti vuri në dukje se protesta ka shfaqur edhe një refuzim të klasës tradicionale politike, duke theksuar se shumë protestues nuk drejtojnë kritika vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj opozitës. Sipas tij, prania e grave, familjarëve dhe të rinjve i ka dhënë protestës një profil të ndryshëm nga protestat tradicionale politike, duke e bërë atë më gjithëpërfshirëse dhe me më shumë energji qytetare.

Duke komentuar reagimin e qeverisë, Kikia tha se është normale që pushteti të mos mbështesë protesta që e sfidojnë atë, ndërsa kujtoi se kryeministri Edi Rama ka treguar më parë se është i ndjeshëm ndaj lëvizjeve qytetare që marrin përmasa të mëdha, si protestat kundër armëve kimike apo lëvizja studentore. Megjithatë, ai u shpreh skeptik se qeveria do të tërhiqet përballë kërkesave të protestuesve ose se do të pranojë skenarë si ngritja e një qeverie teknike apo kujdestare.

“Protesta qartësisht është zhvendosur nga Zvërneci, jo thjesht se nuk është më gjeografikisht në atë zonë, por dhe përmbajta e saj nuk është më çështja e pronësisë që ngritën banorët. Ajo që lexohet qartës është dimensioni politik i protestës. Çdo protestë është politike, thellësisht politike. Dhe protestat e pensionistëve politike janë se kanë kërkesa për qeverinë. Por nuk është partiake. Përbërja e protestuesve janë qytetarë, dhe jo njerëz të projektuar apo të mbledhur nga dikush. Janë gjenerata Z dhe intelektualë, që nuk i janë përgjigjur thirrjes së një logoje partiake. Çfarë i bëri bashkë këta njerëz? Janë dy arsye që i bëri bashkë. Ajo videoja e famshme ku dhunohej qytetari. Kjo i revoltoi qytetarët. Kjo ishte shkëndija e parë. Por një element tjetër është çështja mjedisore dhe plani patriotik.
Më pas krijohet vetë ajo adrenalina që përfshin kryesisht adoleshentët dhe të rinj. Edhe këtu ka nja dy arsye. Dimensioni politik i protestës bëri që të qartësohet një lloj vizioni duke qenë se protestuesit janë të rinj. Kjo bëri që ata të jenë kundër një klase politike të vjetëruar, si kreu i PD-së që është aty që prej 1990. Protestuesit bëjnë më shumë thirrje për burg politik për Ramën dhe për Berishën. Kjo protestë e zhvlerësoi protestën e PD-së. Një protestë e PD në këto kushte do të duket minore dhe e pavlerë sa i takon koloritit të pranisë së grave dhe fëmijëve, që përdorin djem të rinj dhe molotovë. Mos prisni që një qeveri të jetë dakord me protestuesit. Në asnjë vend të botës nuk ndodh kjo. Ndaj është e logjikshme që qeveria të jetë kundër protestave. Rama e nuhat kur protesta mund të përshkallëzohet si lëvizje qytetare, siç ishte dhe protesta me armët kimike dhe me protestën e studentëve. Unë nuk besoj se Rama do të dorëzohet, për të shkuar drejt një axhende të artikuluar më herët nga opozita, për të ngritur një qeveri kujdestare, teknike për të punuar për një qeveri që të përgatisë terrenin që vendi të realizojë një proces zgjedhor ndryshe. Nuk ka asgjë të qartë se çfarë do të kërkojë protesta. Ajo është protesta më me energji.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: