Drejtuesi i zyrës së shtypit të Partisë Demokratike, Alfred Lela, në një intervistë për News 24, ka reaguar për heqjen e sanksioneve ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha, nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Lela deklaroi se lajmi për heqjen e non gratës është komunikuar përmes një bisede telefonike nga ana e një zyrtareje të DASH-it dhe nuk ka ende një formë të shkruar.

“Ka pasur një telefonatë nga një përfaqësuese e DASH. Firma është marrë para dy ose tri ditësh, është parë një ngurrim sesi do të jepet lajmi në publik. Nuk ka marrë një formë dokumentare të lajmit se Berishës po i hiqet sanksioni.

Heqja e non grata-s dekodon dhe tekstin e vendosjes, heqja tregon se Berishës nuk i është gjetur asnjë provë korrupsioni apo minimi të sigurisë”, tha Lela.
I pyetur nëse nga sanksionet është çliruar edhe familja e kreut të PD-së Berisha, Lela deklaroi:

“Nuk e kam bërë këtë pyetje, por besoj se non grata i hiqet edhe familjes sepse kur u vendos u vendos edhe ‘en bloc’, ashtu besoj se edhe do të hiqet”, tha ai.
Ish-kryeministri u shpall non grata në muajin maj 2021. Motivacioni i sanksionimit ishte korrupsioni.

“Veprat e korrupsionit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri. Unë e shpall publikisht Sali Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për të hyrjë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklarohej në njoftimin e Sekretarit të Shtetit të kohës Antony Blinken.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb