Po, me jehonën e saj tashmë planetare, KryeProtesta madhështore qytetare në Tiranë, në rradhë të parë falë masivitetit të paparë, transmetimeve « live » të rrjeteve më të mëdha mediatike botërore dhe manifestimeve shoqëruese paqësore në metropolet më të njohura kudo në botë ka hyrë dhe po bën historinë e re të demokracisë shqiptare si preludi i « Shqipërisë së Re » Por, tani ajo është bërë unikale dhe emblematike jo vetëm për shoqërinë dhe vendin tonë, por edhe për Europën demokratike. Ajo ka 12 ditë që po elektrizon shoqërinë bashkë me sistemin tonë politik dhe qeveritar; merita e saj më e madhe është se me jehonën, entusiazmin e jashtëzakonshëm dhe me pritshmëritë e reja cilësore ajo i dha fund shpresojmë dhe urojmë një herë e mirë apatisë dhe dështimit protestues të opozitës tradicionale. Protesta është kthyer në një pikë të madhe reference dhe destinacion të madh frymëzues që i ka kaluar kufijtë tanë kombëtarë dhe trojet shqiptare.

Shkaqet dhe arsyet e kësaj dukurie vërtet fenomenale qytetare mbipartiake janë të shumta dhe të shumëanshme. Le të ndalemi konkretisht në ato më kryesoret që tregojnë se me madhështinë, vlerat madhore dhe jehonën e saj kumbuese kjo Mega Protestë, siç po e pohojnë edhe shumë personalitete elitare shqiptare dhe të huaja është bërë vërtet model edhe për vetë Europën e vlerave demokratike.
Themi kështu mbasi e vërteta është se me përjashtim të manifestimeve në vitet 70 – 80 në SHBA dhe në Europë kundër luftës në Vietnam, në mbështetje të pacifizmit dhe kundër vendosjes së raketave “Pershing“, tubime me një pjesëmarrje aq të madhe protestuesish si te Flamingo janë të papâra edhe në Europë dhe në në përgjithësi në Perëndimin. Në Bruksel, ku banoj prej 15 vitesh, edhe në protestat kombëtare të javëve të fundit nuk ka patur më shumë se 50.000 vetë; tjetër gjë se ndryshe nga sa ndodh te ne, në Bruksel, në Paris, Romë, Berlin e gjetkë, edhe kur protestojnë 10.000 vetë, qeveria dhe partitë politike marrin masat e duhura dhe kontakte me protestuesit për trajtimin e problematikave përkatëse; sepse, në vendet demokratike rëndësi përcaktuese ka përmbajtja e mesazheve; ndërsa edhe kur numrat janë të mëdhenj, atëhere bien kambanat e alarmit.

Veçoria e dytë unikale e “Flamingos“ është karakteri gjithëpërfshirës, të cilën e garanton përmbajtja, katalogu dhe objektivat e saj për Shqipërinë e Re; ca më tepër se Protesta ka marrë spunto nga një interes madhor jetik dhe publik, si mbrojtja e mjedisit në dy pika me ndjeshmëri të jashtëzakonshme si Narta dhe Zvërneci dhe pastaj duke u shtrirë në temat e tjera të nxehta dhe shqetësimet që kanë kohë që bërtasin për zgjidhje, por që pak kush u ka venë veshin. Ja pse aty i gjen të gjithë, nga fëmijtë e vegjël, nënat shtazëna dhe me bebet e sapolindura; studentë, të reja dhe të rinj, intelektualë dhe të moshuar nga të gjithë shtresat dhe gjithë vendi ynë.

Tipari dhe merita tjetër shumë e rëndësishme është ringjallja e ndjenjës dhe dëshirës pothuajse të vdekur për protestë pas dështimit të opozitës.

Po aq shumë spikat spontaneiteti i protestës, disiplina dhe rregulli i përsosur. Aty gjithçka është e organizuar mjaft mirë, fjala është e thjeshtë dhe vërtet e lirë; ndaj edhe nuk mund të shmangen lapsuse dhe tepërime në fjalimet me tematika disi të gjëra. Por edhe ky element ka ardhur duke u përmirësuar ndjeshëm, duke u lënë vend edhe ekspertëve të fushës, pa hallakatje dhe duke iu përmbajtur tematikës.
Faktori tjetër që e ka bërë këtë Mega Protestë që ka bërë “xhiron e botës“ si kryelajm është karakteri unikal paqësor, edukata qytetare, mirësjellja, respekti ndaj kujtdo, etika, fryma, vërtetësia e mesazheve të shumta që jepen, flamujt, pankartat, banderolat, këngët, muzika, humori, recitimet, entusiazmi i papërshkruar dhe energjitë pozitive që përcjellin protestuesit dhe folësit e shumtë në shesh dhe në marshimin e tyre në rrugët kryesore të kryeqytetit deri në mesnatë në përfundim të protestës. Dhe deri sa turmat e mëdha protestuese shpërndahen me thirjet “Nesër më shumë“ me brohoritje dhe këngë, të prirë nga flamuri ynë kombëtar. Pa asnjë incident, pa përplasje dhe provokime; aq sa edhe Ambasada amerikane nuk ka lëshuar asnjë paralajmërim për shtetasit e saj. Një mik i përbashkët gjerman avokat që ndodhet në Tiranë dhe po e ndjek protestën nga afër na shkruante këto ditë “për karakterin tejet paqësor të Protestës; atij i bënte përshtypje se megjithë rradhët e gjata për shkak të marshimit të protestuesve, ndryshe nga më parë, drejtuesit e automjeteve presin me durim dhe përshëndesin protestuesit me dorë dhe duke u rënë borive; të duket sikur Shqipëria është shpallur kampione bote në futboll“!
Ja pse pretendimet se kjo Protestë me tubimet e saj shoqëruese do të trembi turistët janë absurde dhe qesharake dhe e kundërta pritet të ndodhë, çka ka nisur qysh tani; për të gjitha shkaqet dhe veçoritë e lartpërmendura, Protesta në Tiranë dhe kudo gjetkë është kthyer qysh tani në një atraksion tërheqës dhe të këndshëm politik, publik, mediatik dhe ca më shumë turistik; turistët e huaj ia vlen ta shikojnë dhe shijojnë atë; në fakt ata kanë filluar qysh tani të bëhen pjesë e saj.

E pashembullt është edhe jehona politike, publike dhe mediatike vendase dhe botërore e kësaj Proteste. Këtu shquhet si përherë rrjeti televiziv “Neës 24“ me mbulimin drejtpërsëdrejti të gjithë protestës; bashkë me Panorama Grup dhe Ballkanëe, me reportazhe, analiza dhe komente cilësore nga sheshi, pjesëmarrjen aktive të gazetarëve dhe moderatorëve të tij të spikatur, dëshmi tjetër e gazetarisë së saj brilante, objektive dhe të angazhuar kur vjen puna për mbrojtjen dhe pasqyrimin e vlerave më të spikatura të demokracisë dhe përparimit.

Veçori dhe meritë tjetër e Protestës është se ajo “ka përkthyer“ në shqip raportet, dhe kërkesat dhe
kritikat serioze të BE-së. Duke nxjerrë në shesh hallet e përditshme, parrullat, pankartat dhe folësit e shumtë rikujtojnë me zë të lartë dhe açik aty në shesh kushtet, kërkesat dhe dështimet tona të njohura. Njëkohësisht, protestuesit në masë “po ia nxjerrin bojën“ bujës, fasadës, tollumbaceve dhe fishekzjarreve propagandistikë qeveritare, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Veçoria tjetër tipike e Protestës është artikulimi i fortë në kor i parrullës “REVOLUCION“. Veçse kjo nuk ka pse të tremb askënd me përjashtim të korruptuarve, të shiturve dhe tradhtarëve të kombit. Kujdes, as që bëhet fjalë për revolucion bolshevik, komunist apo proletar; asnjë shenjë të tillë nuk na ka dhënë protesta, përkundrazi. Fjala është për vettingun, dmth refomimin rrënjësor të sistemit tonë institucional që në aspektet më jetike nuk është funksional! Po, Revolucion demokratik, se jo vetëm na mungon qeverisja e mirë që e kërkon edhe BE-ja si kusht anëtarësimi, kur te ne megjithë premtimet bujshme pothuajse mungon qeverisja, sidomos në nivelet vendore; ca më keq akoma, instancat dhe institucionet në të gjitha nivelet janë politizuar, patronazhuar dhe personalizuar në kulm, duke kompromentuar hapat dhe arritjet e njohura; në këtë drejtim, jemi katandisur më keq se përpara viteve 90; sepse nga Partia Shtet dikur, sot kemi një produkt akoma më të shëmtuar dhe po aq të rrezikshëm: UNISHTET!

Eshtë shumë e rëndësishme të theksohet se kjo Protestë me fjalimet dhe komponentët e tjerë cilësorë tregon qartë se demokracia nuk barazohet me votën, pas të cilës nuk ka pse të fshihet askush dhe ca më pak ta përdorin si “tapi“ prone; se vota është përgjegjësi e përditshme për të punuar me frymë europiane dhe për t’i dhënë llogari njerëzve, sidomos kur ka të bëjë me mbrojtjen e natyrës, mjedisit, me jetën dhe fëmijtë e tyre. Kryesorja, vota merr vlerë kur ajo shoqërohet dhe plotësohet me nëntë elementët e tjerë të njohur të Dekalogut demokratik, duke filluar nga dialogu i vërtetë me qytetarët, informimi dhe transparenca publike e cila për qeverinë ka mbetur “vrima e fundit e kavallit“.

Këtë shqetësim e bën akoma më serioz e vërteta e hidhur se pas vitit 1992 te ne nuk ka patur zgjedhje të lira dhe të ndershme, por thjesht votime të mirëorganizuara dhe të manipuluara. Tani, vërtet që shumica jonë ka 83 mandate, por dihet botërisht se ato janë kapur me lloj lloj hilesh, trukesh, presionesh, shitblerje votash dhe parregullsi të tjera ulëritëse, të cilat i gjen në të gjitha dokumentat e BE-së dhe në Kornizat e Negociatave të anëtarësimit në BE; madje me detyra të reja shtëpie, por për të cilat ende “nuk e ka vënë njeri ujin në zjarr“.

Por edhe sikur zgjedhjet e 11 Majit 2025 të ishin të lira dhe të ndershme, sërish Kryeministri nuk t’i përdorte ato si “gjethe fiku“; sepse është populli me fjalën e tij që ta konfirmon votëbesimin ashtu si edhe ta heq atë në çdo moment. Ndryshe, nuk do kishte zgjedhje të parakohëshme pas krizave as në vendet më demokratike.

Veç sa sipër, masiviteti i jashtëzakonshëm në këtë Protestë në Tiranë dhe në diasporë dëshmon praninë e një elektorati të madh gri, që mesa duket nuk është llogaritur ose është përjashtuar në zgjedhjet e kaluara. Ndaj, kërkesa e protestuesve për dorëheqje është e drejtë, e ligjshme dhe në respekt të Kushtetuës!
Për të gjitha këto dhe arësye të tjera bindëse, kjo Protestë është afirmuar edhe si ftesë, festë dhe fitore për shoqërinë dhe demokracinë shqiptare!

Ajo çka do të donim të sugjeronim me dashamirësi është kujdesi që të mbahet ritmi, të përshkallëzohet protesta dhe të kurorëzohet sa më shpejt me sukses. Nga Protestë dhe Festë të kthehet në Ftesë për të bashkërenduar punën për realizimin e objektivave, që ato të mos mbeten vetëm slogane. Në mënyrë ky
Manifestim madhështor proteste të kthehet sa më shpejt në një Manifest të ri politik që të sjellë ndryshimet madhore të premtuara dhe sidomos Shqipërinë e Re.

Në fakt, ky është mision tejet sfidues, se ai u prish punë dhe rehatin jo vetëm pushtetarëve dhe partiakëve tradicionalë në Shqipëri por edhe atyre në Bruksel, që e fetishizojnë dhe idealizojnë suksesin e qeverisë dhe të Ramës; ndaj nuk e kanë dhe aq të lehtë të marrin kthesën e duhur. Ja shiheni, asnjë deklaratë prej tyre, qoftë edhe për mirësjellje, “memecllëk“ i plotë që gjithsesi shpresojmë të marrë fund shumë shpejt.

Vështirësia tjetër e madhe qëndron në faktin se në dallim të madh nga viti 1990, kur përballë diktaturës edhe ajo në rënie ishte gjithë opozita e bashkuar dhe gjithë komuniteti ndërkombëtar, sot situata është krejt ndryshe. Protesta revolucionare drejtohet kundër dy partive më të mëdha dhe dinosaurëve të tyre me sfida dhe kurthe por gjithsesi jo e pamundur!
Në kontrast të plotë me frymën e kësaj Proteste janë reagimet mjerane dhe menaxhimi i dobët i kësaj ngjarjeje nga Kryeministri Rama. Në vend të analizave dhe reflektimeve politike me instancat dhe strukturat përkatëse partiake dhe shtetërore, ai vazhdon me tirada sulmesh dhe ofendimesh ndaj protestuesve që vetëm staturës së një Kryeministri nuk i shkojnë! Deri aty sa edhe podiumet festive të 35 Vjetorit të themelimit të PS-së po i kthen në poligone “qitjesh“ dhe sulmesh të paprovokuara ndaj Protestës dhe medias, madje dhe asaj ndërkombëtare. Këto qëndrime arrogante dhe betimin e tij se “edhe sikur500.000 vetë të dalin në protestë projekti vijon“ do t‘i kishin zili edhe byroistët në vitin 1990. Duket se miopia politike nuk po e len atë të shohi dhe ta kuptojë se koha e tij po mbaron.
Ndërkohë, pa qenë nevoja për teorizime, kalkulime dhe hipoteza është momenti që të gjithë, duke filluar nga intelektualët, artistët dhe personalitetet të bëhen pjesë e kësaj proteste. Deri tani qaheshim se janë partiake, ndaj në to nuk e gjejmë vehten, se nuk është shoqëria civile, etj. Po tani? Shenjat gjithsesi janë premtuese.

Së fundi, është koha t’u themi FALEMINDERIT organizatorëve dhe dhjetra mijra pjesëmarrësve që me këto protesta madhështore dhe unikale edhe në Europë po bëjnë ndryshimin epokal në kulturën dhe sjelljen tonë politike dhe publike dhe po ia zbukurojnë imazhin Atdheut tonë! Ndihemi krenarë se falë këtyre manifestimeve shembullore, në vendet e BE-së, në SHBA dhe gjetkë po na thonë “CHAPEAU!“

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb