Franca shihet nga të gjithë si pretendentja kryesore për të triumfuar në Kupën e Botës 2026. Sulmuesi francez e njëkohësisht lideri i “gjelave”, Kylian Mbappe, ka dërguar një mesazh të qartë përpara angazhimit të radhës të kombëtares franceze, duke vendosur suksesin e skuadrës mbi arritjet personale.

Në një intervistë për mediat franceze, sulmuesi i Real Madrid deklaroi se do të pranonte pa hezitim të mos shënonte asnjë gol, nëse kjo do të sillte triumfin e Francës në kompeticion. “Të fitojmë Kupën e Botës pa shënuar unë as edhe një gol? Do ta firmosja menjëherë me stilolaps të pashlyeshëm. Duam të shkruajmë historinë, sepse ende nuk kemi arritur asgjë.”

Mbappé, i cili po përjeton një rol gjithnjë e më të rëndësishëm si lider i skuadrës, theksoi gjithashtu rëndësinë e menaxhimit të emocioneve në turnetë e mëdhenj ndërkombëtarë. “Po bëhem një lojtar me përvojë. Është kënaqësi të udhëheq më të rinjtë. Nuk do t’u mësoj si të luajnë futboll, por si të menaxhojnë emocionet e një Botërori. Kur e gjithë bota të shikon, duhet të dish të ruash qetësinë. Është thelbësore që secili të mund të shprehë potencialin e tij maksimal. Të ndërtosh një skuadër do të thotë të bashkosh njerëz, prandaj askush nuk duhet të ndihet i përjashtuar.”

Sulmuesi francez komentoi edhe finalen e UEFA Champions League Final, duke zbuluar se kishte bërë tifo për Paris Saint-Germain. Sipas tij, një sukses i klubit parisien do të ndihmonte edhe atmosferën në kampin e Francës, pasi disa lojtarë të kombëtares aktivizohen me PSG-në.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: