“Nuk kemi frikë, ky është momenti ynë. Duam të jemi një forcë e vërtetë në këtë Kupë Bote, të aftë për t’u përballur me këdo.” Kështu u shpreh ylli i Shteteve të Bashkuara, Christian Pulisic, në një intervistë për Gazzetta dello Sport, në prag të debutimit të kombëtares amerikane kundër Paraguait. Duke folur për marrëdhënien me shokun e skuadrës Weston McKennie, Pulisic tha:

“Jemi rritur së bashku si futbollistë. Tani të dy luajmë në Itali në nivelet më të larta, unë te AC Milan dhe ai te Juventus, por mbi të gjitha vazhdojmë të mbrojmë së bashku ngjyrat e kombëtares sonë. Kur përballesh me një ndeshje kaq të rëndësishme, me presionin e debutimit në një Kupë Bote, të ndihmon të shohësh pranë vetes djem që i njeh që kur ishe 13 ose 14 vjeç. Dëshiron të luftosh si ata, të mos i zhgënjesh dhe t’u mbulosh krahët. Me këtë frymë po e nisim Botërorin që zhvillohet në shtëpinë tonë.”

Pulisic u ndal edhe te ndryshimi mes këtij Botërori dhe atij të katër viteve më parë në Katar: “Atmosfera para turneut duket e ngjashme. Ndihet e njëjta emocion dhe pritshmëri për një ndeshje të madhe. Megjithatë, në disa aspekte ndihem më i qetë. Përvoja më ka ndihmuar të jem më i qetë dhe fakti që luajmë në vendin tonë na jep një avantazh. Gjithashtu mendoj se jam një futbollist më i mirë se katër vite më parë në Katar. Jam rritur shumë në çdo aspekt të lojës sime, edhe falë eksperiencës në Itali.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb