Aktivistja Edlira Çepani, e ftuar në programin e drekës në News24 përballë gazetares Ola Bruko, u shpreh se protesta qytetare që po zhvillohet prej ditësh është ndër më frymëzueset që ka parë, duke theksuar se brenda vetëm 16 ditësh janë shënuar rezultate dhe arritje të rëndësishme.

Sipas saj, në protestë marrin pjesë qytetarë nga shtresa dhe profesione të ndryshme, të bashkuar nga ndjenja se nuk po trajtohen me dinjitet nga institucionet e shtetit.

“Kjo është protesta më frymëzuese. Ne kemi kërkuar që fillimisht të jemi njerëz dhe më pas profesionistë në fushat tona. Në atë shesh shoh njerëz që janë lodhur duke u trajtuar pa dinjitet nga një shtet i tërë. Ky shtet nuk ua njeh vlerën qytetarëve, nga fëmijët deri te të moshuarit”, deklaroi Çepani.

Ajo tha se pakënaqësia qytetare është grumbulluar prej vitesh dhe se tashmë është arritur pika ku reagimi është bërë i pashmangshëm.

Duke vlerësuar rolin e të rinjve në protestë, Çepani tha se ata po japin një shembull të qartë të qytetarisë dhe reagimit demokratik.

“Këta të rinj po na japin një leksion për mënyrën se si duhet të reagojmë. Kanë dinjitet, kthjelltësi dhe përgjegjësi. Ndryshe nga retorika që është ndërtuar prej vitesh se populli nuk kupton apo nuk merr vesh, ajo që unë shoh në shesh dhe në terren është krejt e kundërta. Njerëzit janë shumë të kthjellët”, tha ajo.

Çepani foli edhe për presionet dhe intimidimet që, sipas saj, shpesh shoqërojnë aktivizmin qytetar. Në fund, aktivistja theksoi se çdo protestë duhet të dëgjohet nga institucionet dhe se kërkesat e qytetarëve nuk mund të injorohen.

“Kjo është protesta më frymëzuese. Kemi kërkuar së pari që të jemi njerëz, më pas profesionistë në fushat tona. Në atë shesh shoh njerëz që janë lodhur të trajtuar pa dinjitet, nga një shtet i tërë. Ky shtet nuk ua njeh vlerën, që nga fëmijët, te të moshuarit. Pse tani? Ka gjithmonë një pikë të asaj gote që është plotë dhe me një pikë të vetme, gota u derdh në të gjithë sektorët. Ka shkuar aty ku nuk mban më, në radhë të parë për të rinjtë. Ata nuk kanë qenë as vizioni dhe as fokusi i politikave që janë bërë në këto vite. Këta të rinj po na japin një leksion të formës se si duhet të reagojmë. Kanë dinjitet, kthjelltësi. E gjithë retorika që është ndërtuar, në mënyrë fine është; populli nuk merr vesh! Por realisht ajo që shoh në shesh, e shoh në terren, kudo, njerëzit janë të kthejellët.
Ne jemi disa njerëz që njihemi si aktivistë. Jemi të parët që anatemohemi sa herë që ndodh një protestë. Intimidimi provohet në çdo kohë. Në rrjetet e mia sociale kam pasur shumë mesazhe, apo dhe telefonata. Gjëja që po ndodh është më e madhe. Të gjitha protestat duhet të dëgjohen, nëse nuk e bëjnë dot, të hapin krahun. Që nga rënia e këtij sistemi. Një qeveri teknike siç e kanë kërkuar protestuesit dhe të dilet me një sistem.”, tha ajo.

Duke u ndalur te qeveria teknike, Çepani tha se ka njerëz të aftë që mund të drejtojnë në qeverinë teknike. “Flitet për qeveri teknike se kjo është procedura. Në momentin kur bie një qeveri, ku garantohet zgjedhje të lira, vendohet një qeveri. Që nuk është asnjëra prej palëve, që mos të përfitojë nga qenia në pushtet. Ne në Shqipëri kemi njerëz të shkëlqyer, që janë ekonomisë të shkëlqyer, juristë, politologë, apo arkitektë. Ne kemi aq profesionistë sa po bëjnë namin kudo ku ikin nepër botë. Kjo është mënyra teorike se si do vazhdojnë.”, shtoi ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: