Ish-deputeti demokrat Azgan Haklaj mbështet protestën qytetare që hyn sot në ditën e 18 të saj dhe revolucionin e të rinjve që kërkojnë ndryshimin e klasës politike dhe rrëzimin e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Ai shprehet se “Aleanca e Kullave” duhet të shembet dhe mbi të të ngrihet Republika e Re e Shqipërisë.

Duke e cilësuar si “Trekëndëshi i Bermudës” klasën e vjetër politike, ish-kandidati i Partisë Euroatlantike të drejtuar nga Lulzim Basha në zgjedhjet e 11 majit, Haklaj kërkon edhe rrëzimin e dy brinjëve të tjera Rama-Berisha dhe përfundimin e tyre pas hekurave, sikurse edhe Ilir Meta më herët.

“Ilir Meta ndodhet prapa hekurave, ndërsa vullneti i qytetarëve në sheshe kërkon që dy brinjët e mbetura të këtij trekëndëshi, Edi Rama dhe Sali Berisha, të përballen me të njëjtën llogaridhënie ligjore. Megjithatë, përballë këtij presioni, sistemi ka reaguar përmes një aleance të re pragmatike. Nuk është më një sekret që pushteti i Edi Ramës, përmes strukturave të tij, i dhuroi vulën zyrtare të partisë grupimit të Rithemelimit të Sali Berishës”, shkruan ai në postimin e tij të gjatë në rrjetet sociale.

Më tej Haklaj teksa bën edhe një përmbledhje të të gjithë situatës, nënvizon besimin te drejtësia e re, duke nxitur që edhe protesta të japë mbështetje për SPAK-un që të bëjë arrestimet e bujshme të liderëve politikë, kurse Gjykata e Lartë të zgjidhë ngërçin e krijuar.

“Pa dashur të hamendësojmë mbi arsyet e kësaj vonese në shpalosjen e programit, një gjë është strategjikisht e sigurt: veprimi i vetëm i duhur dhe urgjent që duhet të bëjë protesta është rreshtimi dhe mbështetja pa ekuivok e SPAK-ut. Ky institucion është mjeti i vetëm legjitim për të shkatërruar përfundimisht dy brinjët e mbetura të Trekëndëshit të Bermudës, të cilat nuk përfaqësojnë asgjë tjetër veçse aleancën e krimit, kullave dhe vulave të vjedhura dhe dhuruara. Përballë këtij fronti të përbashkët korruptiv, protesta nuk mund të mjaftohet me refuzimin, por duhet të lidhë aleancën e saj të madhe dhe të vetme: aleancën me SPAK-un dhe me parimet euroatlantike”, shprehet ish-deputeti.

Postimi i plotë i Azgan Haklajt:

“ALEANCA E VULAVE DHE KULLAVE PËRBALLË REPUBLIKËS SË RE:

PROTESTA DUHET TE MBËSHTES SPAK- un dhe GJYKATA E LARTË TE ÇLIROJE OPOZITËN NGA PENGMARRJA!

Sot në ditën e 18-të të qëndresës dhe revoltës qytetare, sheshi përpara institucioneve mbart në vete jo vetëm peshën e një zemërimi të grumbulluar ndër vite, por edhe një udhëkryq të madh historik për fatet e vendit.

Ndërsa qytetarët vazhdojnë të kërkojnë me ngulm një Shqipëri ndryshe, ky moment kulmues shërben për të analizuar me ftohtësi rrethanat dhe faktorët politikë që na sollën deri këtu.

Prej më shumë se një dekade, Partia Demokratike e Shqipërisë (Euroatlantikët sot), nën drejtimin e Lulzim Bashës, ka artikuluar me këmbëngulje ekzistencën e të ashtuquajturit “Trekëndëshi i Bermudës” – një simbiozë korruptive e mishëruar nga trinomi Rama-Meta-Berisha.

Koha, ky gjykatës i pagabueshëm i proceseve historike, po vërteton pikë për pikë këtë diagnozë politike.

Sot, peisazhi ka ndryshuar në mënyrë dramatike:

Ilir Meta ndodhet prapa hekurave, ndërsa vullneti i qytetarëve në sheshe kërkon që dy brinjët e mbetura të këtij trekëndëshi, Edi Rama dhe Sali Berisha, të përballen me të njëjtën llogaridhënie ligjore.

Megjithatë, përballë këtij presioni, sistemi ka reaguar përmes një aleance të re pragmatike.

Nuk është më një sekret që pushteti i Edi Ramës, përmes strukturave të tij, i dhuroi vulën zyrtare të partisë grupimit të Rithemelimit të Sali Berishës.

Ky akt, është kontestuar hapur nga demokratët euroatlantik’ dhe aktualisht është në proces rekursi në Gjykatën e Lartë, ç’ka per dëshmon se Partia Demokratike e Sali Berishës sot operon mbi bazën e një legjitimiteti të rremë, të rrëmbyer dhe të pagëzuar në zyrat e pushtetit socialist.

Kjo është një arsye më shumë që protesta e cilëson opozitën të shitur!

Ndaj është rasti t’i bëj thirrje publike Gjykatës së Lartë të çliroi opozitën nga pengmarrja e Ramës dhe Berishës sepse prej dy vitesh çështja është në zyrat e Gjykatës dhe pret të zgjidhet.

Mardhënia okulte Rama & Berisha zbulon atë që mund të quhet “Aleanca e Vulave dhe e Kullave”. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike e Rithemelimit, si dy shtyllat tradicionale të tranzicionit shqiptar kanë hyrë në një pakt të heshtur për të ruajtur monopolin e tyre mbi pushtetin politik dhe atë ekonomik.

Ky partneritet nuk ushqehet nga ideologjitë, por nga interesat financiare të pastrimit të parave të krimit të organizuar përmes betonizimit dhe kullave që po lartësohen në kurriz të qytetarëve.

Sa herë që formacioni i Sali Berishës ngre zërin apo “denoncon” qeverinë, ky aksion nuk bëhet për të zgjidhur hallet e shqiptarëve, por për të rritur çmimin e pazarit të radhës në bashkëveprimtarinë e tyre korruptive në cdo sektor të ekonomisë.

Përballë këtij degradimi, platforma e artikuluar nga Lulzim Basha për rindërtimin e një Republike të Re mbetet e vetmja rrugëdalje institucionale.

Nevoja për një kod të ri zgjedhor, krijimi i kushteve për votime realisht të lira e të barabarta si dhe vetingu i rreptë i të gjitha figurave politike dhe deputetëve përbëjnë shtyllat e një sistemi ku të mbizotëroj ligji dhe jo vullneti i oligarkëve.

Në këtë kontekst, mbrojtja dhe mbështetja pa rezerva ndaj Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka qenë dhe mbetet një vijë e kuqe e panegociueshme për demokratët euroatlantik’.

Si një organ i investuar politikisht dhe financiarisht nga aleatët tanë strategjikë, SHBA dhe BE, SPAK është konsideruar gjithmonë si leva e vetme arkimediane për të shkallmuar kulturën e pandëshkueshmërisë, madje edhe në ato momente kur ritmi i tij mund të dukej jo i shpejtësisë së duhur.

Sot, në valën e kësaj qëndrese që sot në ditën e 18-të vihet re një mospërputhje mes revoltës legjitime dhe gjuhës jo-institucionale që përdoret nganjëherë në shesh.

Është krejtësisht e natyrshme që forcat e vjetra politike (PS e Ramës dhe PD e Berishës), e mbase edhe forca të tjera, të dukshme apo të padukshme, të përpiqen ta “kapin” dhe ta devijojnë këtë protestë, pasi suksesi i saj i vërtetë përbën rrezik ekzistencial për ta.

Ata që rrezikojnë më shumë nga triumfi i drejtësisë janë pikërisht ata që kërkojnë të kontrollojnë dhe të zbehin frymën e saj asgjësuese.

Sfida kryesore e lëvizjes qytetare në këto momente mbetet mungesa e një platforme të qartë dhe e një programi politik konkret, që do t’u jepte zgjidhje afatgjata problemeve strukturore të Shqipërisë.

Pa dashur të hamendësojmë mbi arsyet e kësaj vonese në shpalosjen e programit, një gjë është strategjikisht e sigurt: veprimi i vetëm i duhur dhe urgjent që duhet të bëjë protesta është rreshtimi dhe mbështetja pa ekuivok e SPAK-ut.

Ky institucion është mjeti i vetëm legjitim për të shkatërruar përfundimisht dy brinjët e mbetura të Trekëndëshit të Bermudës, të cilat nuk përfaqësojnë asgjë tjetër veçse aleancën e krimit, kullave dhe vulave të vjedhura dhe dhuruara.

Përballë këtij fronti të përbashkët korruptiv, protesta nuk mund të mjaftohet me refuzimin, por duhet të lidhë aleancën e saj të madhe dhe të vetme: aleancën me SPAK-un dhe me parimet euroatlantike.

Vetëm përmes këtij sinergjizmi institucional dhe qytetar mund të shpëtohet Shqipëria dhe të hidhen themelet e një Republike të Re te qytetarëve”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb