Vala e protestave masive që po trondit vendin ka sjellë në shesh zëra të fuqishëm të shoqërisë civile dhe aktivizmit. Aktivisti Marlind Laçi, i ftuar në programin e drekës në News24 ka përcjellë një mesazh mjaft të fortë lidhur me atë që ai e quan një “erë pozitive” që po fryn për demokracinë shqiptare, duke kërkuar një shkëputje përfundimtare nga tranzicioni 35-vjeçar.

Laçi bëri një skanim të historisë politike të vendit, duke theksuar se pas vitit 1990, Shqipëria kaloi në një sistem totalitar, por pluralist, i cili nuk u dha asnjë zgjidhje halleve të përditshme të shqiptarëve.

Aktivisti u shpreh se mbushja e rrugëve është një tregues i qartë se durimi i qytetarëve ka arritur në pikën e fundit dhe se mesazhi i kësaj qëndrese ka kaluar çdo kufi gjeografik.

“Kështu nuk ecet më. Këtë e kupton edhe shqiptari më i largët. Kjo protestë ka shkuar deri në Australi. Me këto 35 vite jemi përballur me korrupsion sistematik”, tha ai.

Më tej, Laçi sqaroi se beteja në shesh nuk bëhet kundër parimeve të demokracisë liberale në të cilën ndodhet vendi, por kundër strukturës së kalbur që ka kapur institucionet dhe Parlamentin.

“Vërtet nuk kemi një sistem politik për të ndryshuar sepse jemi në demokraci liberale, por kemi një sistem korruptiv për të mposhtur dhe rrëzuar. Shqiptarët kërkojnë rrëzimin e sistemit korruptiv, oligarkik, kriminal, parlamentar sepse ata njerëz në parlament kanë dalë nga një kod zgjedhor që janë të deleguar kryetarësh dhe jo të zgjedhur nga populli shqiptar,” tha ai.

Në mbyllje të fjalës së tij, aktivisti lëshoi një thirrje të hapur për të gjithë faktorët politikë tradicionalë që kanë mbajtur peng vendin për dekada me radhë, duke kërkuar një alternativë të re për të ardhmen.

“Mjaft është mjaft! Nuk mund të rrimë nën diktatin e dy njerëzve si Rama dhe Berisha. Shqipëria është më e madhe se kaq,” përfundoi mesazhin e tij elektrizues Marlind Laçi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb