Bullgaria nuk do të mbështesë sanksionet e reja të Bashkimit Evropian ndaj kreut të Kishës Ortodokse Ruse, Patriarku Kirill, as masat që do të ndikonin drejtpërdrejt kompaninë e naftës Lukoil dhe degët e saj, ka deklaruar Ministrja e Jashtme bullgare, Velislava Petrova. Duke folur para gazetarëve në parlament, Petrova theksoi se qëndrimi i Sofjes është i qartë: Bullgaria mbështet vetëm sanksione që sjellin pasoja reale ekonomike dhe që nuk dëmtojnë më shumë vendet anëtare të BE-së sesa vetë palët ndërluftuese.

“Ne mbështesim sanksionet që kanë pasoja ekonomike, që nuk i ndëshkojnë shtetet anëtare më shumë sesa vendet ndërluftuese dhe që nuk janë thjesht simbolike”, u shpreh ajo.

Sipas ministres, vendosja e sanksioneve ndaj Patriarkut Kirill do të krijonte një mjedis të favorshëm për propagandë anti-europiane, duke u interpretuar si ndërhyrje në punët e Kishës Ortodokse Ruse.

Ajo shtoi gjithashtu se masa të tilla, si ngrirja e aseteve personale, nuk do të kishin ndikim real në aktivitetin e tij dhe do të ishin më shumë simbolike sesa efektive.

Emri i Patriarkut Kirill, i cili ka mbështetur publikisht luftën në Ukraine, është përmendur shpesh si objektiv i mundshëm i masave ndëshkuese nga BE. Në vitin 2022, përfshirja e tij në listën e sanksioneve u bllokua më parë nga Hungaria.

“Prioriteti ynë kryesor është ruajtja e stabilitetit energjetik të vendit”, theksoi Petrova, duke nënvizuar se disa vende të BE-së kanë shqetësime të ngjashme për ndikimin e sanksioneve në sigurinë energjetike.

Ndërkohë, Bashkimi Europian ka miratuar së fundmi një tjetër paketë sanksionesh ndaj individëve dhe subjekteve që mbështesin Rusinë në luftën në Ukrainë, ndërsa po diskutohen masa të reja në kuadër të raundit të 21-të të sanksioneve që nga nisja e luftës në vitin 2022.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: