Pas barazimit zhgënjyes 1-1 ndaj Marokut në ndeshjen hapëse të Grupit C të Kupës së Botës 2026, Brazili zbret në fushë të shtunën me objektivin e vetëm: fitoren. Skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti do të përballet me Haitin në një sfidë ku tri pikët dhe një sukses bindës janë thuajse detyrim për “Seleçaon”.
Trajneri italian pritet të bëjë disa ndryshime në formacion, duke i besuar nga minuta e parë talentit të ri Endrick. Sulmuesi brazilian do të ketë mundësinë të udhëheqë repartin ofensiv në një ndeshje ku Brazili synon të dominojë lojën dhe të përmirësojë ndjeshëm golavarazhin.Ndërkohë Neymar do të vijojë riaftësimin, me sulmuesin e Santos që nuk është në listen e të grumbulluarëve në përballjen ndaj Haitit.
Pas hapit fals ndaj Marokut, pesë herë kampionët e botës kanë nevojë për një reagim të menjëhershëm për të rimarrë kontrollin e grupit dhe për t’u paraqitur me besim maksimal në përballjen e fundit ndaj Skocisë, e cila mund të rezultojë vendimtare për kualifikimin.
Në kampin brazilian mbizotëron bindja se ndeshja me Haitin duhet të shërbejë si pikë kthese në këtë Botëror. Megjithatë, stafi teknik ka kërkuar përqendrim maksimal, duke mos nënvlerësuar kundërshtarin dhe duke synuar një paraqitje bindëse si në rezultat ashtu edhe në lojë.
Të gjitha vëmendjet do të jenë te Endrick, i cili pritet të jetë një nga protagonistët kryesorë të mbrëmjes, ndërsa Brazili kërkon të rikthejë shkëlqimin dhe të konfirmojë statusin e një prej favoritëve për trofeun botëror.
