Australia ka konfirmuar rastin e parë të virusit të gripit të shpendëve H5N1 në territorin e saj, pasi testet laboratorike rezultuan pozitive te një zog deti i gjetur në një zonë të largët në jugperëndim të vendit. Kryeministri Anthony Albanese e cilësoi zhvillimin si shqetësues dhe deklaroi se autoritetet do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar përhapjen e virusit.

“Do të bëjmë gjithçka që mundemi për të frenuar çdo përhapje,” tha Albanese gjatë një prononcimi për mediat në Sydney. Sipas autoriteteve, virusi u identifikua te një skua kafe migratore e gjetur e sëmurë pranë Esperance, rreth 570 kilometra në jugperëndim të Perthit. Edhe një pelikan gjigant i zbuluar në të njëjtën zonë rezultoi pozitiv për virusin.

Ministrja australiane e Bujqësisë, Julie Collins, sqaroi se deri më tani nuk ka prova që virusi të jetë përhapur te shpendët e fermave apo në sistemin bujqësor të vendit. Po ashtu, nuk janë konstatuar raste të ngordhjes masive të shpendëve. Megjithëse infektimet te njerëzit mbeten të rralla, varianti shumë patogjen H5N1 ka shkaktuar ngordhjen e qindra miliona shpendëve në mbarë botën gjatë viteve të fundit, duke ndikuar edhe në zinxhirët e furnizimit me ushqime dhe në rritjen e çmimeve.

Në kuadër të masave parandaluese, Australia ka forcuar protokollet e biosigurisë në ferma, ka zgjeruar testimet diagnostikuese te shpendët e egër, ka ndërmarrë vaksinime për specie të rrezikuara dhe ka zhvilluar plane reagimi për të kufizuar çdo shpërthim të mundshëm të virusit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb