Gjermania dhe Polonia kanë nënshkruar një marrëveshje të re ushtarake pikërisht në përvjetorin e afrimit të tyre, 35 vjet më parë.

Varshava deklaroi qartë se “armikun”, sot, e sheh në Lindje”. Por dëshiron që Gjermania ta trajtojë, gjithnjë e më shumë, në të njëjtin nivel me veten.

Për të mësuar më shumë, Auron Dodi nga DW ka folur rreth kësaj çështje.

Çfarë përmban marrëveshja– dhe çfarë do të thotë ajo për Poloninë?

Auron Dodi: Marrëveshja e Mbrojtjes mes Gjermanisë dhe Polonisë mban parasysh situatën e re të rrezikut në Evropë.  Ishte ndryshimi i rrezikut që e vjetëroi pjesërisht marrëveshjen e vitit 2011. Në thelb, të dyja vendet ripohojnë mbështetjen reciproke në kuadër të NATO-s dhe BE. Por për Poloninë marrëveshja ka një kuptim edhe më të thellë. Ministri polak i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz tha qartë se për vendin e tij “armiku ndodhet në lindje, jo në perëndim”. Ai kujtoi vitin 1939, kur siç tha, u sulmuam si nga lindja ashtu edhe nga perëndimi”.

Me këtë ai nënkuptoi faktin, që pas Paktit Hitler–Stalin (23.08.1939), Polonia fillimisht u sulmua nga Gjermania (01.09.1939) pastaj nga Bashkimi Sovjetik (17.09.1939)- dhe të dyja e ndanë Poloninë. Që pikërisht Gjermania tregohet në ditët tona e gatshme, me vepra, ta mbrojë Poloninë, mbyll edhe më qartë, edhe simbolikisht për Varshavën një plagë historike.

Për se u ra dakord konkretisht – përtej synimeve?

Auron Dodi: Marrëveshja e Mbrojtjes mbulon shumë fusha: p.sh. mbrojtjen kibernetike, hapësirën, infrastrukturën kritike dhe industrinë e armatimeve.

Janë planifikuar edhe stërvitje të përbashkëta. Që tani, mbrojtja ajrore gjermane, mbron lindjen e Polonisë – sistemet Patriot të ardhura nga Gjermania janë në gatishmëri të rrëzojnë raketat që vijnë atje. Avionët gjermanë ndihmojnë në ruajtjen e hapësirës ajrore polake.

Tani, që nga kjo verë, xhenierët ushtarakë gjermanë do të fortifikojnë kufirin lindor të Polonisë – si pjesë e operacionit „Mburoja Lindore” (“Eastern Shield”)

Gjermania dhe Polonia planifikojnë bashkë në këtë kuadër edhe rrugët e furnizimit: në rast lufte, kjo përcakton sa shpejt arrijnë trupat, armët dhe municioni në krahun lindor.

SHBA-të duan të zvogëlojnë praninë e tyre në Evropë. A e kompenson këtë marrëveshja – dhe ç’ka të vërtetë në pritjet e Polonisë që Gjermania të bëjë më shumë?

Auron Dodi: SHBA deklaruan se do të mbajnë më pak forca në gatishmëri në NATO, për një krizë evropiane. Por Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u tregua i qetë në një prononcim të fundit: ai tha se evropianët dhe Kanadaja i kanë rritur kontributet, prandaj tabloja e përgjithshme është e mirë. Rutte tha shprehimisht se Gjermania bën pjesë në ata pak aleatë që marrin pjesë në NATO “all in”, plotësisht, pa rezerva.

Gjermania po e zgjeron fuqishëm ushtrinë e vet për ta bërë ushtrinë më të fortë konvencionale të Evropës. Nga kjo përfiton e gjithë NATO-ja, pra edhe Polonia.

Megjithatë, në një ceremoni paralele, kremtuese të pajtimit mes dy vendeve – me 700 të ftuar, në Ministrinë e Jashtme në Berlin – Varshava shprehu dëshirën për më shumë: për më shumë trena të shpejtë lidhës mes dy vendeve, për më shumë ura dhe para gjermane. Kjo është e kuptueshme.

Polonia ndihet gjithnjë e më shumë në të njëjtin nivel me Gjermaninë. Me të drejtë?

Auron Dodi: Deklaratat që bëjnë përfaqësues të politikës polake tregojnë se Polonia ndihet sot më shumë në një nivel me Gjermaninë, kështu interpretohen deklaratat polake nga vëzhgues në Gjermani. Po le ta shohim me qetësi. Polonia është forcuar 35 vitet e fundit: brenda NATO-s shpenzon, në përpjesëtim, më shumë se kushdo për mbrojtjen: mbi katër për qind të prodhimit të brendshëm bruto.

Ministri i Jashtëm polak, Radosław Sikorski kujtoi në Berlin se ekonomikisht Polonia po bëhet partneri i katërt tregtar i Gjermanisë: çdo ditë shkëmbehen mallra në vlerë 500 milionë euro. Prandaj, sipas tij partneriteti i njëanshëm i përket së shkuarës”.

Këtu e ka burimin pra ndjenja polake. Por mbetet fakt dallimi i madh në përmasat e dy ekonomive: prodhimi i përgjithshëm ekonomik i Gjermanisë është rreth pesë herë më i madh se ai i Polonisë. (4,69 bilionë dollarë amerikanë në Gjermani, 918 miliardë dollarë në Poloni.)

Nevoja polake për rivlerësim, megjithatë kuptohet: buron nga krenaria e bazuar në përparimin e bërë në këto vite dhe nga ndjeshmëria historike. Në një raport 5:1 megjithatë është e vështirë të arrihet një ekuilibër i plotë. Respekti dhe pjesëmarrja e tjetrit në vendimmarrje, pa dyshim, duhet të jenë edhe më tej pjesë e raportit.

Me Gjermaninë Polonia lidhi vetëm një marrëveshje ndërqeveritare, jo traktat ndërshtetëror, si me Francën dhe Britaninë e Madhe. Pse ky model?

Auron Dodi: Pas kësaj qëndron rezistenca e së djathtës konservatore në Poloni. E djathta konservatore në Poloni ka përgjithësisht një mosbesim të thellë ndaj Gjermanisë: Gjermaninë e sheh, të paktën, si rivale.

Një traktat ndërshtetëror, duhet të ratifikohej nga Presidenti i shtetit polak, aktualisht Karol Nawrocki. Por Nawrocki është i afërt me të djathtën konservatore në Poloni. Kurse një marrëveshje ndërqeveritare nuk ka nevojë për nënshkrimin e tij. Me të, qeveria e Donald Tuskut e anashkaloi një bllokim të mundshëm.

Marrëveshje të tilla po shtohen tani në Evropë. Çfarë qëndron pas kësaj vale?

Auron Dodi: Po, kemi një vrull për të lidhur marrëveshje dypalëshe të mbrojtjes. Shkaku duhet kërkuar në rrethanën që SHBA si fuqi mbrojtëse janë bërë aktualisht të paparashikueshme. Prandaj shtetet e Evropës po sigurohen edhe mes tyre – me forma të reja bashkëpunimi, përtej NATO-s dhe BE.

Polonia bie veçanërisht në sy: kohët e fundit ka nënshkruar një sërë marrëveshjesh dhe dokumentesh bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes me Francën, Holandën, Suedinë, Norvegjinë dhe Britaninë e Madhe. Janë hapa që forcojnë jo vetëm Poloninë, por edhe mbrojtjen e Evropës në lindje.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb