Nga Fitim Zekthi

Në dhjetor të vitit 1989, Nikolae Çaushesku u trondit kur pa që turma prej mbi 100 mijë vetësh, e thirrur në një takim masiv në Bukuresht, filloi ta ndërpriste atë. Ai ishte i bindur që njerëzit nuk ishin kundër tij, ishte i bindur që njerëzit e donin, ishte i bindur që regjimi që ai kishte ngritur jo vetëm që nuk kishte zemërimin e njerëzve, por madje pëlqehej prej tyre.

Ndodh me shumë politikanë të këqij, të cilët gradualisht, pa e kuptuar as vetë, ndërtojnë një rrëfim, një fabul, një shpjegim për atë që janë duke bërë dhe nisin ta besojnë atë. Varësia që ata kanë nga pushteti i shtyn ata të shkëputen nga realiteti në mënyrë të ngadaltë, pasi njohja ose pranimi i realitetit do ta vinte në diskutim pushtetin. Pushteti, nga ana e tij, ka vetëm një natyrë: ai tenton të rritet në mënyrë që të mbijetojë. Kjo rritje nuk mund të ndalet. Kësisoj, politikanët e këqij hyjnë në një marrëdhënie intime me pushtetin dhe nuk dihet ku fillon njëri dhe ku mbaron tjetri.

Për këtë shkak ata gjithnjë mendojnë, duhet të mendojnë, se njerëzit janë dakord, madje i duan dhe i vlerësojnë këta politikanë. Ka raste, shumë raste, kur ata madje mendojnë se është detyrë e njerëzve që t’i duan ata. Në disa raste ata e shohin veten si shpëtimtarë, si çlirues apo realizues të fatit të njerëzve dhe vendit.

Për shkak të nevojës së pushtetit, që kërkon të rritet, dhe për shkak të nevojës së këtyre politikanëve që me anë të këtij pushteti të realizojnë ose “krijojnë” veten e tyre, kufijtë e ligjit dhe të së drejtës zhduken ose mjegullohen vazhdimisht; kufijtë e vetëpërmbajtjes, arsyes dhe moralit humbin. Pushteti dhe ata bëhen neutralë ndaj kategorive të tilla. Qeverisja sigurisht që do të shkojë keq, padrejtësia sigurisht që do të rëndojë gjendjen, dinjiteti i njerëzve do të nëpërkëmbet.

Gjendja do të bëhet e padurueshme dhe, në një moment kur rrethanat ta lejojnë, ajo do të shpërthejë. Kjo i ndodhi Çausheskut, kjo i ka ndodhur shumë e shumë politikanëve të këqij. Kjo po i ndodh kryeministrit Rama.

Kryeministri Rama ka ndërtuar një model qeverisës që nuk mbështetet mbi respektimin e ligjit dhe të drejtës, i quan ato pengesë; ka ndërtuar një model qeverisës që ka në qendër jo njerëzit, familjet e fëmijët, por atë vetë dhe disa njerëz të caktuar të biznesit apo ndonjë fushe tjetër. Kjo gjë e ka bërë vendin një hapësirë gati distopike, ku të fortët dhe padrejtësia, vështirësitë ekstreme në përballimin e jetesës, paraja e drogës dhe propaganda oruelliane duan t’i bindin njerëzit se Shqipëria është një rast i mrekullueshëm suksesi. Vjen një pikë dhe kjo nuk mban. Poshtërimi është një forcë e jashtëzakonshme reaguese.

Rama ndërkohë nuk e beson, nuk e pranon, nuk mund ta pranojë. Ai nuk mund të pranojë që të gjitha këto vite ishin kot, që gjithë kjo energji totale në ndërtimin e këtij mekanizmi, të kësaj qeverisjeje, gjithë kjo rropatje me biznesmenë dhe kriminelë, me ndërkombëtarë dhe media, përfundon kështu.

Një nga avantazhet e kryeministrit Rama në politikë ka qenë se ai nuk e ka pasur shumë të zhvilluar stilin paranoidal. Siç thotë Harold Lasswell, politikanët (sidomos të këqijtë) janë dy llojesh, zhvillojnë dy stile. Njëri është paranoidal dhe tjetri narcisoid. Me këtë nuk duam të themi, as Lasswell nuk e thotë, që duhet parë në këndin e psikologjisë apo psikanalizës kjo gjë, por vetëm në atë politik. Rama ka zhvilluar, ka ndërtuar stilin narcisoid.

Stili paranoidal ecën me armiq, sheh kudo armiq, sheh komplote, sheh konspiracione. Politikanët e stilit paranoidal, thotë Richard Hofstadter, nuk i besojnë askujt, rrethohen nga njerëz servilë dhe injorantë, nuk i qasin të diturit dhe ekspertët. Ata për çdo gjë fajësojnë armikun e brendshëm apo të jashtëm, por për çdo dështim është armiku. Politikani paranoidal ka qëllim të mbrohet dhe të mbajë pushtetin me çdo kusht. Ata i rrahin dhe mund t’i vrasin kundërshtarët e brendshëm. Ata mospranimin që u bën shoqëria e shfaqin duke folur për konspiracione, për armiq, për të shitur e për të blerë. Ky është një reagim nga mospranimi i njerëzve dhe i popullit.

Rama, ndryshe nga disa politikanë të tjerë të rëndësishëm në Shqipëri, nuk ka qenë tamam ky lloj politikani. Politikani i stilit narcisoid nuk sheh armiq domosdoshmërisht. Ai edhe mund të rrethohet dhe rrethohet nga njerëz ekspertë ose të ditur; ai i pyet ata dhe mund t’i dëgjojë pa asnjë problem ata, në qoftë se ajo që ata thonë i bën punë. Politikani i stilit narcisoid ka vetëm një qëllim: glorifikimin e tij, shfaqjen e tij si një yll që ndriçon, ndërtimin e lavdisë së tij. Çdo gjë që e ndihmon për këtë gjë (nuk ka kufij moralë, etikë apo ligjorë) është e mirë dhe ai e përdor.

Sigurisht, siç thotë edhe Lasswell, në shumë raste këto dy stile gjenden edhe bashkë ose gjenden në masa të ndryshme te një person. Edhe tek ne, si kudo, këto gjenden edhe bashkë te politikanët tanë. Gjithsesi, është e dukshme se Rama nuk ka qenë njeriu i shpjegimeve me armiq, me konspiracione, njeriu që rrethohet vetëm nga injorantë dhe paafat. Rama, për interesin e tij, të glorifikimit të vetes, ka marrë dhe është këshilluar me njerëz të njohur në vend dhe botë.

Këtë herë ai shkoi te stili paranoidal. Këtë herë ai thotë se populli po proteston për shkak të ndërhyrjes së Iranit, të ndërhyrjes së Greqisë, të propagandës kundër Izraelit etj. Këtyre budallallëqeve ai u shtoi, me tone edhe më të dendura, një armik gjigand që ishte algoritmi. Algoritmi i përdorimit apo i shumëfishimit të forove, lajmeve, shkrimeve dhe videove në internet si pasojë e punës së armikut. Dhe duket se Rama këtë nuk e ka thjesht si mënyrë reagimi për të qetësuar protestën apo për të forcuar radhët e veta. Ai duket se e beson, ai nuk mund të mos e besojë.

Kur shkon keq puna, kur dështimi është i plotë, politikanët e këqij do të shkojnë patjetër te stili paranoidal. Edhe Rama aty mbërriti. Në një farë mënyre ai e ka pranuar edhe vetë humbjen pa e thënë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb